Patriot LUMANI
Strugë, 21 shkurt – Imperativi për ndërtimin e një Spitali të ri në Strugë apo rikonstruimin e këtij ekzistuesit, është imediate dhe e domosdoshme në funksion të një shërbimi më cilësor ndaj pacientëve nga rajoni i Strugës dhe qyteteve fqinje, shkruan gazeta KOHA. Këtë shqetësim në disa raste e kanë ngritur pacientët, por edhe uniformat e bardha. Ata të thonë se pavarësisht shërbimit cilësor që marrin pacientët, është e domosdoshme që të bëhet rinovimi gjeneral i godinës ekzistuese ose të ndërtohet një i ri, sepse kushtet e tanishme në Spitalin e Strugës nuk janë ato që duhet të jenë të një qendre rajonale spitalore, ku trajtohen pacientë nga i gjithë jugperëndimi i Maqedonisë apo nga qytetet fqinje të Shqipërisë. Në lidhje me këtë problematikë në opinionin strugan përflitet se pas investimeve dhe ndërtimit të Spitalit të ri në Ohër, shteti nuk ka interes ndërtimin e një Spitali të ri në Strugë, pavarësisht premtimeve që janë dhënë në të kaluarën nga titullarët shqiptarë të dikasterit të shëndetësisë. Sipas këtyre pretendimeve, edhe në drejtimin e spitalit po ndiqet praktika e sportelizimit që u ndoq me një sërë institucione shtetërore në Strugë në llogari të Ohrit.
Spitali i Strugës, pavarësisht problematikave të shumta, viteve të fundit ka qenë një nga spitalet në rang Maqedonie që ka marr vlerësime pozitive për nivelin e lartë të shërbimit ndaj pacientëve. Drejtori i Spitalit të Nefrologjisë në Strugë, Asim Musa, nënvizon për KOHA se spitali që duhej të ndërtohet në Strugë u orientua për në qytetin e Ohrit në kohën kur struganët kanë qenë më të përfaqësuar në nivelin qendror me dy deputet të profilit mjekësor, drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik si dhe duke pasur edhe ministrin e shëndetësisë shqiptar. Musa nënvizon se spitali që duhej të ndërtohet në Strugë, u ndërtua në Ohër edhe me heshtjen e këtyre përfaqësuesve të Strugës. Për Musën, nëse Spitali i Strugës realizon më shumë ndërhyrje dhe shërbime mjekësore, ishte jashtë çdo logjike që investimi të shkonte në Ohër dhe jo në Strugë.
“Struga ka kapacitete kadrovike dhe mundësi që të shndërrohet në një qendër rajonale të shëndetësisë, sepse jo rastësisht viteve të fundit pacientë nga qytetet fqinje, por edhe nga ato të Shqipërisë zgjedhin Strugën për të kërkuar ndihmën mjekësore”, përfundon ai.
Ndërkohë drejtori i Spitalit të Strugës, Mentor Ibrahimi, nënvizon se nevoja për spital të ri në Strugë është imediate dhe në këtë drejtim ai thekson se kjo çështje tashmë është bërë edhe politike, sepse gjatë fushatës u përmend nga të gjitha partitë. Ai nënvizon se brenda katërvjeçarit spitali i ri do të jetë realitet dhe si një mundësi përmendi partneritetin publiko-privat, ide të cilën ia ka prezantuar edhe ministrisë së Shëndetësisë. Ibrahimi saktëson se si ideja është që Spitali i Strugës të ndërtohet përskaj rrugës magjistrale në Ohër ku dhe është një parcelë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.