Vjollca SADIKU
Dibër, 11 shkurt – Spitali i Përgjithshëm i Dibrës vazhdon të punojë pa të ashtuquajturën “Banka e gjakut”, ndërsa të gjitha aktivitetet tjera në sferën e mbrojtjes të shëndetit të banorëve të Dibrës, Qendër Zhupës dhe Mavrovë Rostushës funksionojnë pa probleme. Megjithatë, mungesa e depozitës së sasive të gjakut vlerësohet si pengesë në realizimin e tërësishëm të aktiviteteve spitalore. Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Dibër, Baki Alili, thekson se edhe në sferën e transfuzionit dhe nevojës për dhënien e gjakut, gjithë pacientët marrin atë që u takon, pasi në ndihmë të Dibrës del Spitali i Strugës fqinje. Sipas Alilit, bëhet fjalë për një angazhim maksimal duke mbajtur rezerva të pakta të gjakut në institucionin ku ai është udhëheqës.
“Për shkak se nuk kemi ‘Bankë klasike të gjakut’, kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Spitalin e Strugës, i cili posedon këtë depozitë të gjakut. Në çdo moment kur kemi nevojë për gjak, bashkëpunimi me struganët është i shpejt dhe efektiv”, tregon drejtori Alili, ndërsa shton se nevojat që edhe Spitali i Dibrës të ketë “bankë gjaku” janë të mëdha, pasi Spitali që drejton ai, mbulon tre komuna me numër të madh të pacientëve. “Për këtë problem janë të informuar institucionet kompetente në vend”, thotë për gazetën KOHA, Alili.
Megjithatë, në Dibër mungon edhe një specialist transfuziolog. Edhe ky lloj i shërbimit mbulohet nga Spitali i Strugës, të të cilin ka marrëveshje që një herë në muaj, në Dibër të vijë mjeku strugan i transfuziologjisë. “Në këtë mënyrë i plotësojmë të gjithë nevojat dhe kërkesat e pacientëve nga Dibra dhe rrethina. Është një zgjidhje efektive e problemit që funksionon një kohë më të gjatë. Tranfuziologu nga Struga i realizon të gjitha aktivitetet e nevojshme për pacientët nga Dibra”, thonë në Spitalin e Dibrës. Veç kësaj, dibranët për të dhuruar gjak, duhet të shkojnë në Strugë. Udhëheqësia e Spitalit në Dibër një vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe grumbullimit të mbeturinave medicinale. Problemet që në këtë sferë janë prezente në disa qytete të vendit, në Dibër nuk ndodhin. Drejtori Baki Alili thekson se në Spitalin e Dibrës mbeturinat spitalore dërgohen në mënyrë të organizuar në deponinë jashtë Dibre. Sipas tij, Spitali i Dibrës ka kontratë me kompaninë “Eko Klub” nga Manastiri, e cila tërësisht mbeturinat spitalore të Dibrës i deponon jashtë Dibre. (koha.mk)