Edhe pse, afër 30 për qind e qytetarëve zgjedhin spitalet private, megjithatë qytetari përsëri kryesisht i orientohet shërbimit publik, deklaroi për gazetën KOHA, doc.dr.Shaban Memeti!
Destan JONUZI
Shkup, 28 maj – Maqedonia e Veriut ka një sistem shëndetësor të etabluar ndër vite. Institucionet shëndetësore në vend kanë një problem tjetër shumë të madh që është ikja e kuadrit nga vendi, lëvizja nga publiku tek privati, edhe përkundër sistemit të etabluar publik, kështu deklaroi në një prononcim për gazetën KOHA, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, doc.dr.Shaban Memeti.
“Të ik një kuadër që është kualifikuar e që ka mbaruar në tre universitete – në Shkup, Tetovë dhe Shtip, dhe vendi të mos ketë kuadër, janë shumë arsye. Arsyeja e gjetjes së një vendi pune, ato financiare, kushtet që ofrojnë spitalet jashtë vendi… Andaj duhet të bëhet përpjekje maksimale për kuadrot që diplomojnë. Institucionet publike shëndetësore kanë nevojë për kuadër shëndetësor. Të krijohet infrastrukturë që mjekët të ndjehen të lirë në kryerjen e shërbimeve aty ku punojnë, të kenë status financiar të përforcuar. Të kenë rroga solide, nga se mjekët në Maqedoninë e veriut kanë rrogat më të ulëta në rajon. Kur do ta ketë këtë ofertën mjeku, ai nuk do të mendoj që të ik nga vendi. Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë janë duke punuar në këtë drejtim”, deklaroi Memeti. Edhe pse, afër 30 për qind e qytetarëve zgjedhin spitalet private, shprehet Memeti, megjithatë qytetari përsëri kryesisht i orientohet shërbimit publik.
“Spitalet private nuk ofrojnë asnjë gjë më shumë se ato publike. Janë disa parametra të pamjes vizuale, ‘fasadave’ të institucioneve private që të lënë përshtypje në dukje se kryejnë shërbime solide shëndetësore. Shërbimet shëndetësore kryhen nëpër spitalet shtetërore, por edhe privatet kryejnë, por nuk mund të thuash se pjesa më e madhe e qytetarëve ikin nga publiku. Janë arsye të imponura”, theksoi doc.dr.Shaban Memeti. (koha.mk)