Në mungesë të formimit të plotë socio-kulturor, por edhe në mungesë të informacioneve burimore, shqiptarët dinë të bien pre e SPIN(aq)ËVE që jo rrallë i përdorin për të gatuar ndonjë lakror pa petë
Nga Emin AZEMI
Mbajtja e zgjedhjeve në një vend normal nënkupton rifreskim të politikës dhe shtetit me ide dhe prurje të reja, që zëvendësojnë ato të vjetrat. Këtu te ne ka një përjashtim. Zgjedhjet ka rrezik të riciklojnë kriza të vjetra dhe të instalojnë elemente të reja destabilizuese, që përdoren për të kamufluar diçka që votuesi i thjeshtë nuk i vëren. Votuesi te ne ende voton qorrazi dhe kjo është një përparësi për oligarkitë politike. Këto të fundit tash më janë rryer me përvoja hazarderësh që betejat politike i bëjnë duke përdorur metoda të nëntokës, siç vepronte dikur policia italiane e cila nuk i luftonte vet grupet mafioze, por i ndërsente, dhe ato e luftonin njëra tjetrën. Në fund, policia dilte e “suksesshme”.
Më i rëndësishëm se një proces zgjedhor, është paqja dhe qetësia në mes të njerëzve. Kur mungon qetësia dhe paqja, humb kuptimi i fitoreve politike. Ka të ngjarë që në prag të zgjedhjeve të prillit, dikush këtu te ne ta prishë paqen dhe qetësinë në mes të njerëzve, për shkak të pasigurisë në fitoren politike.
Në kohën kur kriminelët të veshur me petkun e politikanëve shëtisin të patrazuar rrugëve dhe kur nga burgu lëshohen ata që kanë krye krime, s’do mend që skena politike parazgjedhore mund t’i ngjasojë një arene gladiatorësh ku epilogun e fitores e përcakton ai që ka mundësi ta kontrollojë gjithë procesin.
Shqiptarët ende shikohen si kontingjente që mund të përdoren për hesape politike. Shikimi i ngushtë i interesave parciale-partiake, pa një kohezion interesash kombëtare, si dhe pafuqia e ndikimit intelektual në proceset politike, ka mundësuar që në hapësirën politike shqiptare të interferojnë lloj-lloj harbutësh (që shqipen e përdorin ose me ‘google’, ose me dialekt), të cilët bëhen të gjallë vetëm pak muaj para zgjedhjeve.
Emancipimi i plotë i një populli ndodhë atëherë kur arrihet shkalla e vetëdijesimit për të dalluar saktësisht se prej nga vjen një e keqe. Në mungesë të formimit të plotë socio-kulturor, por edhe në mungesë të informacioneve burimore, shqiptarët dinë të bien pre e SPIN(aqeve) që jo rrallë i përdorin për të gatuar ndonjë lakror pa petë. Në raste të tilla petën gjithmonë e hanë shejtanët e zinj që rrinë skutave, ndërkohë që mbeten të uritur ata të cilët furnizojnë gatuesit.
Shkalla e vetëdijesimit për të dalluar saktësisht se prej nga vjen një e keqe do të thotë të qëndrosh sa më larg sofrave të tilla.
A kemi ne mekanizma të mjaftueshëm kombëtar e intelektual që do t’i largonte sofrat e tilla nga shtëpitë tona?
Ose: A mund të zhvillohemi si entitet kombëtar pa pasur nevojë që të prodhojmë vegla-kallauz për ofiçinat e huaja politike? (koha.mk)