Nuk e di çfarë do të ketë ndodhur kur të botohet ky shkrim… di që tragjedia tetovare është një tragjedi që na ka të gjithë brenda…ata që e shkaktuan, ata që duhet të reagojnë, e nëse jo ta dini se tragjedi të tjera e më të mëdha do të shkruhen me jetët tona, me fëmijët tanë!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Tani që po shkruhet ky artikull është dita e 9 shtatorit. Specifikoj datën dhe ditën sepse në Tetovë ka ndodhur një ngjarje e tmerrshme. Në spitalin modular, të ndërtuar enkas për hospitalizim të pacientëve me KOVID, ka rënë zjarr. Zjarr që ka djegur për së gjalli pacientë, personel mjekësorë dhe familjarë, kështu thuhet të paktën në rrugë jo zyrtare, sepse pavarësisht që natën e tragjedisë të gjithë zyrtarët e Qeverisë kulluan në Tetovë, zyrtarisht kemi vetëm numra, madje dhe ata ndryshojnë nga pushtetari në pushtetar. Me pak fjalë deri tani nuk dihet Asgjë e saktë. Ka vetëm shifra të luhatshme dhe asnjë emër!
Unë do të përpiqem tê listoj ato gjëra të cilat janë të qarta deri tani:
- Në spitalin e Tetovës janë djegur njerëz.
- Familjet e viktimave e dinë se kë familjar kanë humbur, po qeveria nuk po i lejon t’i varrosin duke i mbajtur anonim.
- Qeveria nuk jep emra për të mos i dhënë asnjë identitet popullit sa kohë dhimbja është e nxehtë
- Maqedonia kthehet në vendin e parë në botë që në historinë e pandemisë, djeg spitalin me gjithë pacientë!
Këto katër pika të qarta kristal, tregojnë për një krim monstruoz që është bërë në Tetovë. Mos kush?’ Edhe një fëmijë do të përgjigjej “nga pushteti” dhe do të kishte të drejtë, por çfarë bën pushteti?! Pushteti vazhdon lojën e tij perfide por tejet të suksesshme me popullin. Pushteti del dhe kërkon i indinjuar përgjegjësi. Po. Krejt hutueshëm dhe madje nën tone ultimative pushteti del dhe i prekur insiston për Përgjegjësi! Kujt i kërkon përgjegjësi kur përgjegjësia është vet pushteti?! Ne jemi dëshmitarë që vetëm për 2 minuta të ndërprerjes së energjisë elektrike janë dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pushtetarë ndërkombëtarë, e nëse do të kishte ndodhur një rast i tillë diku në Gjermani apo Holandë do të ishte dorëhequr gjithë kupola drejtuese e qeverisë…kurse këtu tek ne qeveria as nuk e mendon një gjë të tillë.
Qeveria këtu prej natës së tmerrshme që ra zjarri në spital, pa harruar këpucët elegante dhe kostumet e firmosura që shkojnë më shtrenjtë se rroga mesatare vjetore e Maqedonisë, vrapuan para kamerave. Askush nuk mbeti pa ardhur që të përfitonte nga spektakli i vdekjes që ndodhte prapa krahëve të tyre. Filluan të bënin foto e intervista duke e shfrytëzuar momentin si një fushatë perfekte politike. Ah sikur të kishin shpëtuar një jetë prej atyre që u shuan, një të paktën, pa le të bënin fushatë sa të donin, por të paktën sot të kishim një të shpëtuar nga ata që u/i dogjën. Tek i shikoje mbrëmë qeveritarët që rrinin larg vendit të tmerrit por duke u kujdesur që të dilte patjetër në kamera, të vinte neveri! Të asocionte automatikisht proverbi- Fshati digjet e plaka krihet…kur dilnin nëpër intervista të dukej sikur bëhej lidhje me një shtab zgjedhor. Jepnin vetëm shifra, njësoj sikur të flisnin për numrin e votave. Ata flisnin ndërkohë që gjithshka tjetër rreth tyre kishte marrë heshtjen e vdekjes. Gazetarët që raportonin live dukeshin të dëshpëruar, jepnin lajme që ju dhembnin dhe dukej sikur ndonjëri prej tyre do të linte mikrofonin e do të shpërthente në lot, kurse pushtetarët dukeshin energjik, të përqendruar që situata të menaxhohej me sukses! Dhe në këtë kontekst, në media nuk shihej asnjë familjar apo i afërm i atyre që ishin djegur dhe po digjeshin. Asnjë ulërimë, asnjë piskamë! Vetëm pushtetarë që jepnin numra. Qartë ata kishin marrë peng vdekjet e këtyre njerëzve. Dukej sikur i është dhënë urdhër që atmosfera t’i ngjante sa më pak vdekjes! Artikulonin ngjarja është e rëndë ama ndërkohë jo vetëm emra që nuk jepnin por as shifra?! Kë kërkonin të mbronin duke mos dhënë asnjë informacion?! Veten e tyre nga pesha e fajit që tani po i shtyp! E zvogëlonin tragjedinë tetovare në numra që përpiqeshin vetëm t’i zvogëlonin! Pse nuk doli dikush nga këta meshkuj të pushtetit dhe të thoshte se cila ka qenë organika mjekësore e atij spitali?!
Cili ka qenë numri i pacientëve?! Sigurisht që ka lista të tilla! Janë të detyrueshme! E kështu të shikonin sa ishin të mbijetuar e sa të zhdukur?! Të mos artikulonte emra pavarësisht që i ka ditur menjëherë, por të paktën mos t’i linte numra! Le të thoshte të paktën sa gra e sa burra, ekstremitetet e moshave të tyre… t’i jepte të paktën identitet në vdekje, por jo, qeveria nuk e bëri këtë se identiteti i viktimave që u dogjën në spital e me gjithë spitalin në Tetovë, janë bileta e dorëheqjes të padiskutueshme e qeveritarët nuk janë burra që të paktën në ikje të tregonin pak dinjitet!
Të ishte për kabinetin qeveritar kishte shpallur jo 3, por 5 ditë zie, 10 ditë zie, 100 ditë zie, derisa të harrohej fare kjo punë. Duke ngacmuar popullin me fjali moralizuese e duke i kujtuar Heshtjen për respekt të viktimave, natyrisht gjithçka që qeveria do është të fitojë Kohë dhe si e dimë aksiomën e famshme: Koha fshin gjithçka! K’tu mbahet shpresa perfide e e Qeverisë. Përmendin varrim kur kanë lënë ende viktimat pa emër e as në moral e as në kanun shqiptar apo çdo kanun i botës, e në asnjë fè nuk çon dot nê botën tjetër dikë pa e thirr në emër! E kur kujtohem për emrat e atyre që s’janë më, më kujtohet Tetova…Tetova që po e hanë, po e helmojnë, nuk po ngopen me këtë qytet, t’madh e paska pas inatin kjo qeveri e ky pushtet! Tash Tetovës i digjen spitale me gjithë njerëz brenda…a ka më shumë se kaq?! Çfarë bën pushteti?! Fut ekskluzivisht 3 ditë zie për Tetovën…si 3 kënge zie por më zi! Pret e përgjon dhimbjen e popullit…fshihet pas hetimeve ndërkombëtare dhe bën gati skenarë që t’i mbyll gojën popullit, nuk është ndonjë çudi të dëgjojmë ndonjë deklaratë zyrtare nga tabir saraji i Shkupit: ishte një nga pacientët që i vuri zjarrin…kështu thonë kamerat e sigurisë…por filmimet nuk mund t’i bëjmë publike për shkak të sigurisë së hetimit…ah!
Nuk e di çfarë do të ketë ndodhur kur të botohet ky shkrim… di që tragjedia tetovare është një tragjedi që na ka të gjithë brenda…ata që e shkaktuan, ata që duhet të reagojnë, e nëse jo ta dini se tragjedi të tjera e më të mëdha do të shkruhen me jetët tona, me fëmijët tanë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)