Shkup, 16 korrik – Me 23 korrik, qyteti i Gostivarit dhe palestra sportive “Rinia” do të jenë epiqendra e shqiptarëve të vendit tonë, por edhe më gjerë. Për herë të parë në karrierën e tij, para publikut të atdheut të vet, në ring do të paraqitet njëri prej kik-boksierëve më të mirë evropian, Sazan “Kimbo” Memedi, në spektaklin e madh të përgatitur tash e disa muaj dhe të quajtur si “Nata e gladiatorëve”.
Në kuadër të këtij spektakli, do të ketë disa meçe interesante mes kik-boksierëve me perspektivë shqiptarë dhe kundërshtarëve të tyre, ndërsa kryendeshja e natës, pa dyshim që do të jetë dueli i Sazan “Kimbo” Memedit kundër serbit Ivan Viçiç, duel ky që do të jetë i vlefshëm për titullin e kampionit të Evropës. Në këtë spektakël, nuk do të jetë kjo e gjitha, pasi mysafir special i të njëjtit do të jetë hoxha tani më i mirënjohur në të gjitha trojet shqiptare, Halil Kastrati, ndërsa të gjithë mjetet që do të grumbullohen gjatë kësaj nate, nga pagesa e biletave dhe të ngjashme, do të shkojnë si donacion për shoqatën “Jetimat e Ballkanit”.