Speciale nga “Gazzetta dello Sport”: Kumbulla luftëtar i pamposhtur, djaloshi i momentit

23

Marash Kumbulla është lojtari i mo mentit në Itali. 20-vjeçari i Kombëtares shqiptare është shndërruar në një nga lojtarët më rezultativë në këto pesë ndeshje të para që ka zhvilluar. Prestigjiozja “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar atij një speciale për muajin e artë dhe paraqitjen që po bën që në start me skuadrën e Romës. Më poshtë edhe shkrimi për “djaloshin luftëtar, që nuk dorëzohet për fitoren”, siç edhe e përshkruan në titull prestigjiozja italiane: Një vit më parë, në këtë periudhë, Marash Kumbulla kishte kuptuar se sa e komplikuar ishte Seria A. Në shtatë ndeshje kishte shënuar një gol dhe kishte provuar një ndëshkim (karton të kuq).

Po përballej për herë të parë me… botën e të mëdhenjve. Tashmë ka kuptuar edhe se sa e vështirë është që të transferohesh nga një qytet i vogël si Verona, në një metropol si Roma, edhe pse është duke e përballuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Megjithatë, kur është në fushën e lojës, nuk dorëzohet derisa të marrë fitoren, edhe kur bën një gabim (goli i parë i Milanit shënuar nga Ibrahimoviç). Vazhdon që të luajë me garanci dhe siguri. Jo vetëm kaq, por me kalimin e minutave nis “të vërë gjërat në vend”… Jashtë fushës, ka zgjedhur që të mos humbasë mes thashethemeve dhe trafikut, aq sa zgjodhi që të jetojë në një shtëpi që është vetëm pesë minuta larg “Trigorias”, qendrës stërvitore të Romës.

Asnjë vonesë për të shkuar në stërvitje dhe asnjë për t’u kthyer në shtëpi pas saj. Në moshën 20- vjeçare, për të ka rëndësi vetëm futbolli. Faktet janë në anën e tij, duke parë që deri më tani i ka dhuruar tri pikë Romës: dy në Europa Ligë kundër Jong Bojs me golin e përmbysjes që shënoi, duke transformuar në fitore një barazim, dhe një pikë tjetër ia dhuroi në kampionat, në ndeshjen e luajtur në “San Siro” kundër Milanit. Dy gola në pesë ndeshje janë shifrat e deritanishme të mbrojtësit që po zbulon se, përveçse të mbrojë, ka edhe veti prej bomberi sa herë që nevojitet të dalë në sulm.