Lufta e suksesshme kundër krimit, e posaçërisht suksesi i policisë në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe kontrabandës së migrantëve, më së miri reflektohet në unitet dhe partneritet, që në bazë ditore e aplikojnë oficerët e policisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe oficerët e policisë që u takojnë vendeve të rajonit dhe vendeve anëtare të BE-së, tha sot në pres konferencë në pikën kufitare “Bogorodica” Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministër i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, i cili së bashku me Zëvendëskryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, vizituan punonjësit policor në kufirin jugor.
Ministri Spasovski potencoi mirënjohjen ndaj Çekisë, Polonisë, Hungarisë, Sllovakisë, Serbisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe Austrisë, për dërgimin e oficerëve të tyre policor të cilët së bashku me oficerët policor të Maqedonisë së Veriut, më shumë se tre vjet po marrin pjesë në operacionet e përbashkëta kufitare dhe me sukses po menaxhojnë sfidat serioze të migrantëve.
“Shërbimet tona policore janë të gatshme për ballafaqim me të gjitha sfidat dhe që këtu, jam veçanërisht krenar për angazhimin e përbashkët të tyre për të qenë një digë efikase për migrantët e paligjshëm. Në vitin 2018 ka një trend të rritjes së rasteve të zbuluara të kontrabandimit të migrantëve në krahasim me vitin 2017, ndërsa vetëm para disa javëve, arritëm të luftojmë grupin kriminel prej 20-anëtarësh. Duke kërkuar moduse të reja për tua ndaluar rrugën kriminelëve dhe për të ndaluar veprimin e tyre, vendosëm për qëllim përforcimin e kapaciteteve nacionale. E kuptuam që kjo kërkon qasje multi-disiplinare dhe angazhim të vërtetë të aktorëve kryesor në procesin e luftës ndaj kontrabandimit të migrantëve. Që këtu, nën udhëheqjen e prokurorëve publik dhe me participimin aktiv të rreth 50 oficerëve policor, vetëm para një viti vendosëm Task Force për parandalimin e kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit me njerëz. Themelimi i kësaj strukture ishte prioritet strategjik të cilin arritëm me sukses ta realizojmë. Nga ky këndvështrim, mund të shpreh kënaqësinë që prioritetet po realizohen dhe në praktikë po japin rezultate. Por këtu nuk ndalojmë. Republika e Maqedonisë së Veriut ndan prioritete të përbashkëta me BE-në për kufij të sigurt. Këtë qëllim do ta arrijmë duke vepruar bashkërisht. Pas parafimit zyrtar të Marrëveshjes me Gardën Kufitare dhe Bregdetare Evropiane (FRONTEKS), së shpejti do të vijojë edhe nënshkrimi i saj”, tha Spasovski.
Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane Bujar Osmani, potencoi rëndësinë e implementimit të suksesshëm të reformave në fushën e migracionit, si për stabilitetin e brendshëm të vendit, ashtu edhe për progresin në kuadër të integrimeve evropiane.
“Qëllimi i kësaj vizite është që këtu drejtpërdrejtë të bëjmë vrojtim të realizimit të reformave si bazë për krijimin e suksesshëm të a.q. “trak – rekord” respektivisht shembuj pozitiv, prej të cilëve shihet pjekuria e institucioneve tona në punën e tyre të harmonizuar sipas rregullave dhe standardeve evropiane”, theksoi Osmani, duke e potencuar ndjeshmërinë e periudhës për integrimet tona evropiane kur kemi parasysh rëndësinë e Raportit të ardhshëm të Komisionit Evropian, dhe të qënit në prag të samiteve të qershorit të Këshillit të Evropës, ku vendi pret konfirmimin e vendimit për fillim të negociatave për anëtarësim këtë vit.
“Suksesi në ndërtimin e partneritetit të vendit me Bashkimin Evropian dhe vendet – anëtare, më qartazi është shprehur pikërisht përmes bashkëpunimit në ballafaqimin me krizën e migrantëve dhe refugjatëve, dhe përmes implementimit të reformave në fushën e migracionit, sukses i realizuar edhe me ndihmën e konsiderueshme financiare të BE-së përmes IPA fondeve, në lartësi prej disa dhjetëra milion eurosh” – informoi Osmani, duke potencuar të a.q. “Masa të posaçme të IPA-s”, përmes të cilave vitet e kaluara është siguruar blerja e disa dhjetëra automjeteve terreni, buldozerë, minibus për transport, ambulanca dhe automjete për mbledhjen e mbeturinave dhe të ngjashme, si dhe mjete financiare për shpenzime operative për bashkëpunim të shërbimeve tona me shërbimet e vendeve anëtare, në drejtim të sigurimit të përgatitjes së përshtatshme për ballafaqim të vendit me sfidat që kanë të bëjnë me migracionin. (koha.mk)