Shkup, 1 shkurt – Dy të punësuarit në MPB për të cilët është përcaktuar masa e paraburgimit në lidhje me ngjarjen në Shuto Orizare më 28 janar të muajit të kaluar në momentin kur kishte ndodhur incidenti nuk ishin në detyrë zyrtare në këtë lagje, nuk ishin në funksion të policëve. Ata në vendin e ngjarjes kishin qëndruar privatisht, theksoi sot ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë Oliver Spasovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas ngjarjes së ndarjes së certifikatave për trajnimin e përfunduar për identifikimin e prejardhjes së zjarrit, informon Koha.
“Ata aty nuk kishin ardhur me lajmërim të askujt, as pas ndonjë publikimi në Fejsbuk, por privatisht ishin duke kaluar përgjatë kësaj lagje”, theksoi Spasovski.
Ministri i Punëve të Brendshme theksoi se një ditë para incidentit në Fejsbuk ishte publikuar se janë kidnapuar disa fëmijë në Shuto Orizare dhe shtoi se ky ishte motivi për gjithë këtë ngjarje për çka edhe ai vet e ka bërë të ditur me publikun.
Spasovski ka përkujtuar se në lidhje me rastin janë ngritur shtatë padi penale, por është e hapur mundësia që edhe persona të tjerë të jenë të përfshirë në këtë ngjarje.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duke vepruar sipas kallëzimit penal të MPB-së dje në lidhje me ngjarjen në Shuto Orizarë ka sjellë vendim për zbatimin e procedurës hetuese kundër dy të punësuarve në MPB. Ekziston dyshim se ata kanë kryer vepër penale “dhunë” nga neni 386 paragrafi 6 nga Kodi Penal.
“Ata janë të dyshuar se së bashku me pesë persona të tjerë për të cilët ka procedurë hetimore në PTHP -Shkup kanë kryer dhunë ndaj tre të dëmtuarve. Për shkak se të dyshuarit kanë pasur dyshime se personat e dëmtuar kanë grabitur një fëmijë nga Shuto Orizarja, ata i kishin kapur dhe me dhunë i kishin nxjerrë nga vetura “hjundai galloper” pa targa. Gjatë kësaj fizikisht i kanë sulmuar, duke goditur me grushte dhe shkelma dhe duke iu shkaktuar lëndime trupore”, sqarohet në kumtesën e djeshme të PP-së.
Për dy pjesëtarët e dyshuar të MPB-së është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditëve. (koha.mk)