Që shërbimet tona të mund të jenë më efikase në zbulimin e grupeve të organizuara kriminale të kontrabandimit të emigrantëve më i rëndësishëm është këmbimi i shpejtë dhe i papenguar i informacioneve, tha ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në fjalimin e tij në Forumin ministror të BE dhe Ballkanit Perëndimor për drejtësi dhe punë të brendshme që po mbahet në Sofje.
Ai theksoi se ekzistojnë nјë numër i madh i instrumenteve juridike dypalëshe dhe ndërkombëtare me të cilat shtetet tona obligohen në bashkëpunim, pjesëmarrje në ekipe të përbashkëta hetimore, patrulla të përziera të përbashkëta dhe këmbim të informacioneve.
“Apo me fjalë të tjera, juridikisht është rregulluar bashkëpunimi ynë. Ajo që duhet në të vërtetë ta bëjmë është që entuziazmin tonë ta drejtojmë drejt bashkëpunimit të vërtetë policor në bazë ditore, jo vetëm në nivel rajonal, por edhe me vendet е destinacionit përfundimtar të emigrantëve. Rruga e lëvizjes të emigrantëve nga momenti që ata hyjnë në vendet tona, dhe deri te arritja e tyre përfundimtare në shtetet e dëshiruara evropiane-perëndimore mund të japë shumë përgjigje. Përgjigje të cilat e japin fotografinë e plotë për rrjejtin kriminal”, theksoi ministri Spasovski.
Potencoi se kriminelët vazhdimisht e ndërrojnë mënyrën e veprimit dhe se format e reja të kontrabandimit nuk përfshijnë vetëm kontrabandim të emigrantëve.
“Ne, si shërbime policore duhet të përshtatemi në modus operandi-n e ri të kriminelëve. Nevojitet të ristrukturohemi dhe të jemi më të suksesshëm në zbulimin e grupeve të organizuara kriminele të cilët konform të dhënave të fundit krahas emigrantëve kontrabandojnë edhe drogë dhe armë”, tha ministri Spasovski.
Në Forumin ministror të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor i cili po mbahet në Sofje marrin pjesë ministrat e drejtësisë dhe të punëve të brendshme të Estonisë, Bullgarisë dhe Austrisë, të cilët e përfaqësojnë Treshen e Kryesimit me Këshillin e BE-së, së bashku me Komisionin Evropian, të përfaqësuar nga komisari evropian për drejtësi, konsumatorë dhe barazi gjinore, dhe komisari evropian për emigrim, punë të brendshme dhe shtetësi me kolegët e tyre nga gjashtë partnerë nga Ballkani Perëndimor.
Ministrat e theksuan rëndësinë kryesore të sundimit të të drejtës, drejtësinë dhe të drejtat fundamentale në lidhje me rajonin e BE-së dhe bashkëpunimin praktik në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme dhe janë fokusuar në temat: reforma në gjyqësor, bashkëpunimi gjyqësor, emigrimi dhe menaxhimi i kufijve, lufta kundër terrorizmit dhe radikalizimi dhe luftimin e trafikut të paligjshëm me armë zjarri.