Shkup, 3 maj – Duke u udhëhequr nga përvoja nga kriza e madhe e migrantëve, si leksion i mësuar mund të konkludojmë se këmbimi i informatave dhe koordinimi mes institucioneve tona është me rëndësi të posaçme…Dhe atë në të gjitha nivelet, pavarësisht nëse bëhet fjalë për vendet nga BE-ja ose për vendet nga Ballkani Perëndimor përgjatë marshrutave të migrantëve. Informata me kohë është kruciale për sistemim të rregullt të forcave, planifikimin dhe ndërmarrjen e masave adekuate, tha mes tjerash, ministri i Punëve të Brendshme në fjalimin e tij të shkurtë hyrës në cilësi të bashkëkryesuesit në konferencën ministrore “Sfidat migruese përgjatë Rutës Mesdhetare Lindore /Ballkanike Perëndimore” që mbahet sot në Vjenë, njofton Koha.mk
Në konferencën, e cila është në organizim të MPB-së austriake, morën pjesë ministrat e punëve të brendshme nga disa vende të BE-së – Bullgaria, Kroacia, Çekia, Danimarka, Gjermania, Greqia, Hungaria, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Zvicra dhe vendi nikoqir – Austria, si dhe ministrat e punëve të brendshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ministri Spasovski, siç kumtoi MPB-ja, duke folur në kuadër të panel diskutimit të parë në konferencë, kushtuar menaxhimit kufitar në aspekt të strategjive parandaluese dhe mekanizmave, potencoi edhe se është e domosdoshme jo vetëm ndërtimi jo vetëm ndërtim, por edhe mbindërtim i vazhdueshëm i konceptit të përbashkët parandalues, i cili në segmentin e menaxhimit kufitar do t’i japë input shtesë dhe cilësi punës.
“Ato mekanizma parandaluese duhet të nënkuptojnë bashkëpunim konkret në pjesën e grumbullimit të informatave, në komunikimin ndërinstitucional, dhe në veprimin operativ. Vetëm ashtu mund t’i përparojmë në aspektin cilësor dhe real para së gjithash, potencialet tona për menaxhim të gjendjeve të mundshme të krizës dhe rreziqet që i bartin”, tha Spasovski.
Është paraparë që Spasovski të ketë fjalime të tij edhe në panel diskutimin e dytë, ndërsa konferenca ministrore do të përfundojë me nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët për planet e ardhshme për veprim, që do të prezantohet në konferencën e përbashkët për shtyp. (koha.mk)