Shkup, 26 tetor – Procedurën për ekstradimin e ish shefave të DSK-së Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski e udhëheq Ministria e Drejtësisë me ndihmë ndërkombëtare me Ministrinë e Drejtësisë të Greqisë, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në konferencën ndërkombëtare “Siguri publike private – bashkëpunim dhe partneritet” në Fakultetin e Sigurisë në Shkup. “Ministria e Punëve të Brendshme kishte obligim të bashkëpunojë me Ministrinë në Greqi deri në arrestimin e këtyre personave”, theksoi Spasovski. Lidhur me mbështetjen logjistike të të akuzuarve Grujevski dhe Boshkovski në MPB, Spasovski tha se kanë shumë të dhëna dhe se së bashku punojnë me Prokurorinë, por se informacionet nuk janë për t’i ndarë me opinionin. I pyetur nëse ekziston mundësi Grujevski dhe Boshkovski të “bëjnë pazar” me shërbimet greke lidhur me ndarjen e informacioneve për atë që e kanë punuar viteve të kaluara në DSK, Spasovski tha se nuk ka kurrfarë informacioni që deri tani nuk është ndarë me opinionin duke marrë parasysh atë që në opinion përmes të a.q. bomba kishte mundësi t’i dëgjojë bisedat për punën e tyre. Ministri Spasovski e vlerësoi gjendjen e sigurisë në Maqedoni si stabile, ndërsa lidhur me raundin e dytë të zgjedhjeve lokale apeloi deri te qytetarët të jenë në nivel të detyrës ta realizojnë të drejtën e tyre të votimit dhe partitë politike të mos i keqpërdorin institucionet të cilat mund ta prishin procesin zgjedhor.