Shkup, 6 prill – Përgjegjësia e qytetarëve nuk ishte në lartësinë e detyrimit që secili prej nesh e kishte dhe shumë lehtë tejkalohen dhe nuk respektohen rekomandimet e dhëna nga ekspertët dhe kjo është arsyeja pse ne i miratuam këto masa për ndalesë të lëvizjes, gjegjësisht kohëzgjatjen e orës policore, thotë kryeministri Oliver Spasovski.
Ai shfaqi shpresë se masat e reja të paraqitura sot do të kenë efekt, për vendosjen e orës policore nga ora 16:00 deri në orën 05:00 gjatë javës, ndërsa gjatë fundjavës, ndalesë për lëvizje nga e premtja nga ora 16:00 deri të hënën në orën 05:00. Kohëzgjatja e orës policore u paralajmërua rreth një ditë më parë, tha ai, në mënyrë që kompanitë dhe qytetarët të kenë gradualisht kohë për t’u organizuar lidhur me detyrat e punës.
“Unë dua që këto masa t’i japin efektet. Në fakt, ne kemi një seri masash të marra javë më parë në kohë bazuar në ato që thonë ekspertët. Ato dhanë rezultate, mirëpo ne duhet të bëjmë gjithçka që të kemi rezultate edhe më të mira, të cilat do të ndihmojnë për ta ruajtur shëndetin dhe jetën e njerëzve”, tha Spasovski, duke kujtuar se për mosrespektimin e masave, vijojnë procedurat penale ose kundërvajtëse.
Në lidhje me mosrespektimin e masave, ai tha se i referohej një shembulli nga Prilepi dhe e përshkroi atë si një sjellje jashtëzakonisht të papërgjegjshme.
“Sot në mëngjes mbërritën fotografi për atë se çfarë po ndodh sot në Prilep, është një papërgjegjësi ekstreme në lidhje me sjelljen që kemi ndaj virusit dhe pandemisë”, potencoi Spasovski.
Në gjendje të jashtëzakonshme, theksoi, duhet të merren vendime të shpejta dhe të zbatohen menjëherë.
“Në këtë periudhë, asgjë nuk është normale në jetë siç ishte më parë dhe kjo është arsyeja pse është gjendja e jashtëzakonshme. Në gjendje të jashtëzakonshme, duhet të merren vendime të shpejta, vendime të shpejta që duhet të zbatohen tani dhe menjëherë. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që qytetarët t’i respektojnë vendimet, të mos kemi panik të panevojshëm sepse secili nga ne mund dhe ka siguruar gjithçka, në mënyrë që të mbijetojmë në kushtet e orës policore prej disa orësh gjatë ditës”, theksoi kryeministri teknik.(koha.mk)