Spasovski: Kontrollet e trafikut po japin rezultate, ulet numri i aksidenteve

25

Shkup, 26 tetor – Kontrollet e trafikut të cilat bëhen në territorin e të gjithë vendit në bazë të plani të përpiluar paraprakisht po japin rezultate. Në më pak se një muaj, mbi 14,000 sanksione janë shqiptuar në kontrollet e përforcuara të trafikut në të gjithë vendin dhe këto masa japin rezultate, sepse deri më tani kemi një ulje prej 7.5 për qind të numrit të aksidenteve të trafikut që nga fillimi i kontrolleve të intensifikuara, tha Ministri i Punëve të Brendshëm Oliver Spasovski .

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit në emisionin “Brifingu i mëngjes” në TV Slobodna, Spasovski potencoi se sanksione shqiptohen edhe ndaj këmbësorëve të cilët nuk janë në përputhje me rregullat dhe rregulloret e trafikut.

“Edhe pse numri më i madh i gjobave janë për shoferët, brenda këtyre kontrolleve, sa herë që ka shkelje të rregullave të trafikut nga këmbësorët, kemi shqiptuar sanksione edhe për ta”, shpjegoi ministri Spasovski, duke shtuar se kjo do të vazhdojë, të gjitha me qëllim të vendosjes së rendit në trafik, i cili vlerësohet si një pikë djegëse nga të gjithë qytetarët tanë.

Ndër temat e bisedës ishte edhe respektimi i masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, pra sanksionet që vendosen për mos mbajtjen e mbrojtjes në fytyrë, të cilat janë gjithashtu më të shpeshta, ndërsa një pjesë e qytetarëve i interpreton ato si një mënyrë për të mbushur buxhetin e shtetit.

Ministri Spasovski theksoi se konstatimi i tillë nuk është i saktë, dmth në asnjë rast nuk ka të bëjë me mbushjen e buxhetit, por me kontributin në parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

“Vetëm bashkërisht mund të kontribuojmë në parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Varet nga të gjithë ne. Çdo qytetar duhet të jetë në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik”, theksoi Spasovski.