Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski ka kërkuar sot nga kryesuesi i Parlamentit, Trajko Veljanovski që të fut në votim ndryshimin e rendit të ditës e që pika e katërt që ka të bëjë me zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, të jetë pika e tretë, ndërsa zgjedhja e anëtarëve të Komisionit për zgjedhje dhe emërime të kalojë nga pika e tretë në pikën katër. Spasovski lidhur me këtë propozim u bazua në Nenin 78 të Rregullores së punës të Parlamentit, të cilën edhe ia lexoi kryesuesit Veljanovski, ndërsa tha se përveç kryetarit dhe nënkryetarëve, çdo deputet që ka përkrahjen e minimumit dhjetë deputeteve tjerë, ka të drejtë të propozojë ndryshimin e rendit të ditës. Veljanovski nuk u pajtua me këtë propozim duke kërkuar 15 minuta pauzë. Nga salla e Parlamentit deputetët e LSDM-së reaguan me zë duke akuzuar se Vejanovski dhe VMRO-DPMNE po ushtrojnë dhunë mbi institucionet shtetërore. Për dhunë nga Veljanovski ndaj Parlamentit foli gjatë procedurales edhe Oliver Spasovski, para se të parashtrojë propozimin për ndryshimin e pikave të rendit të ditës. (koha.mk)