Shkup, 21 prill – Institucionet e Republikës së Maqedonisë Veriore treguan se munden që të organizojnë zgjedhje të qeta dhe demokratike siç i ka hije vendit që së shpejti do të bëhet anëtare e NATO-s dhe është në rrugën për anëtarësimin e BE-së, theksoi sonte ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në pres konferencë pas mbylljes së vendvotimeve për zgjedhjet në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
“Votimi gjatë ditës së sotme kaloi i qetë dhe pa prishje të rendit dhe qetësisë”, tha Spasovski.
Informoi se gjatë ditës së zgjedhjeve janë regjistruar katër fotografime të fletëvotimit dhe se autorët janë arrestuar, ndërsa është regjistruar edhe një dëmtim i kutisë së votimit nga një person i cili ka qenë nën ndikimin e alkoolit në Novaci.
Në fshatin Kuçiçino është regjistruar një person i cili ka ndarë material reklamues me një prej kandidateve për president dhe për këtë është njoftuar prokuroria, theksoi Spasovski.
Ai i përgëzoi qytetarët për ditën e qetë zgjedhore, i shprehu falënderime pjesëtarëve të MPB-së që i kanë marrë të gjitha masat që procesi zgjedhor të kalojë në atmosferë korrekte dhe demokratike. (koha.mk)