Dymbëdhjetë prej 36 të akuzuarve për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të këtij viti me siguri janë në vend dhe policia është në kërkimin e tyre, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. “Janë dhënë urdhra për arrestimin e 36 personave, ndërsa 12 persona akoma janë në kërkim, ata me siguri janë në Republikën e Maqedonisë”, theksoi Spasovski pas nënshkrimit të Memorandumit për mirëkuptim midis MPB-së dhe misionit të OSBE-së rreth kontrollit të armëve të lehta dhe municionit.
Lidhur me atë nëse do të shpallet fletarrestim pas tyre, Spasovski tha se ky është obligim i prokurorisë dhe gjykatës. Spasovski nuk deshi t’i thotë emrat e 12 personave të cilët janë në kërkim, e as nëse midis tyre ka edhe deputetë, organizatorë të ngjarjeve të 27 prillit, duke përmendur se këto të dhëna nuk përmenden në opinion për momentin. Për ata të cilët janë në arrest, ndërsa janë të punësuar në MPB, tha se ka norma ligjore, të cilat tregojnë se si duhet të veprohet në raste të tilla.
“Të gjithë ata të cilët janë të punësuar në MPB, nëse u caktohet masë arresti, pas raportimit marrëdhënia e tyre e punës pezullohet. Për ata për të cilët deri më tani nuk është udhëhequr procedurë disiplinore hapet mundësia për ngritjen e kësaj procedure”, sqaroi Spasovski.
Lidhur me atë nëse MPB mori pjesë në krijimin e veprës, duke e pasur parasysh atë se bëhet fjalë për vepër të rëndë penale terrorizëm, Spasovski tha se roli i MPB-së është rregulluar në Ligjin për procedurë penale. Shtoi se kallëzimet penale, klasifikimin e veprave është duke i punuar Prokuroria Publike Themelore për krim të organizuar. Në pyetjen nëse ekzistojnë mundësi ata të arratisen dhe nëse ndonjëri prej tyre ka pasaportë të falsifikuar ministri tha MPB është duke punuar në sigurimin e këtyre personave të mos arratisen dhe të dalin para gjykatës.
Lidhur me mundësinë që të rritet numri i personave të dyshuar për ngjarjet e 27 prillit, theksoi se për këtë vendos prokuroria. Në pyetjen nëse ka njohuri se disa prej këtyre 12 personave ka shtetësi të dyfishtë Spasovski u përgjigj: “Kemi njohuri, këto njohuri për momentin nuk janë për mediat dhe opinionin”.