Shkup, 26 mars – Kryeministri, Oliver Spasovski dhe koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në shtetin tonë, Rosana Duxhak në takimin e sotëm kanë biseduar për masat që i ndërmerr Qeveria për t’u përballur me situatën me koronavirusin dhe është vlerësuar se shteti e ka ndërmarrë atë që është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit publik.
Siç thuhet në kumtesë, është transmetuar se KB-ja është e gatshme t’i japë mbështetje shtetit tonë, aty ku do të vlerësojë se është e rëndësishme.
“Në ballafaqimin me pandeminë e virusit COVID-19, në përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike të vendit, në zbatimin e reformave në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, familja e Kombeve të Bashkuara është e gatshme t’i japë mbështetje Qeverisë dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, kumtoi Rosana Duxhak, koordinatore e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ajo e përcolli qëndrimin e KB-së se “jemi së bashku në këtë proces dhe i përbashkët është obligimi të punojmë në interes të të gjithë qytetarëve të vendit, që në frymën e Agjendës për zhvillim të qëndrueshëm, askush të mos ngecë”.
Spasovski ka shprehur falënderim për bashkëpunimin e vazhdueshëm të mirë të shtetit tonë me KB-në dhe me zyrën në Shkup.
“Të gjitha kapacitetet dhe resurset, si shtet, do t’i drejtojmë, të dalim fitues në këtë betejë. Prioriteti ynë i lartë është ta mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe të sigurojmë funksionalitet të sistemit shëndetësor. Për këtë qëllim angazhimet janë fokusuar drejt mbështetjes së plot të personelit mjekësor, drejt organizimit të mirë, për çka është formuar edhe Shtabi kryesor koordinues ku ndahen informacionet e nevojshme të institucioneve kompetente dhe shqyrtohen përvojat e shteteve në botë, me qëllim të vendimeve qeveritare efikase dhe drejt trajtimit të mirë të njerëzve bartës të virusit. Është e rëndësishme edhe ruajtja e ekonomisë. Prandaj, të gjitha masat të cilat i sjellim janë drejt realizimit të këtyre dy qëllimeve. I ngritëm kapacitetet e brendshme, ndërsa gjithsesi e mirëseardhur është edhe ndihma e miqve tanë nga jashtë, për çka jemi falënderues, ndaj BE-së, vendeve të tjera me të cilat është vendosur bashkëpunim dhe gjithsesi këtu i shpreh falënderim edhe KB-së”, tha kryeministri Spasovski.