Ohër, 19 shtator – Kriza me emigrantët, me të cilën u ballafaquam para tre viteve tregoi se me rëndësi thelbësore është bashkëveprimi, partneriteti dhe komunikimi dhe ndihma e ndërsjellë, sepse secili vet nuk mund të menaxhoj me valën e tillë që e pamë dhe e kapërcyem, theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në fjalimin e tij të sotëm para pjesëmarrësve në “Xhorxh Marshall forumin e sigurisë”, që po mbahet në Ohër.
Spasovski, i cili foli me temë “Qasja rajonale drejtë emigrimit – Nga kërcënimet humanitare deri në kërcënimet e sigurisë – mit ose realitet” theksoi se tendencat aktuale rreth politikës së emigrimit tregojnë se rajoni dhe Evropa janë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë dhe bashkëpunimin në menaxhimin me sfidat.
“Të gjithë ne duhet të synojmë drejtë planifikimit të drejtë të përbashkët dhe bashkëpunimit dhe koordinimit të mirë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, në drejtim të vendosjes së sistemit efikas të sigurisë kufitare, njëkohësisht duke e vendosur në plan të parë ruajtjen e nivelit të nevojshëm të sigurisë publike dhe kombëtare. Kuptohet, ne jemi të obliguar edhe që të gjejmë mënyra adekuate se si t’u mundësohet ndihma e domosdoshme të gjithë personave që kanë nevojë për ndihmë”, tha ai.
Spasovski përkujtoi se Maqedonia gjatë vitit 2015 dhe 2016 ishte ballafaquar me sfidën, që nga njëra anë të sigurojë mbrojtje të sigurisë publike dhe kombëtare dhe shëndetit publik, e njëkohësisht respektimin e plotë të të drejtave njerëzore të emigrantëve dhe të kushteve për sigurimin e ndihmës humanitare dhe mjekësore që u nevojitej.
Profesori Xhejms Seroka nga SHBA-ja vlerëson se nuk ka indikacione për përsëritjen e mundshme të krizës me emigrantët që prej para 18 muajve, por se megjithatë kjo paraqet sfidën më të madhe dhe kërcënim ndaj sigurisë për Evropën Juglindore.
Sa i përket Maqedonisë, profesori theksoi se shteti është i përgatitur mirë për çfarëdo lloj skenarësh, duke marrë parasysh përvojat e fituara nga vala e madhe e refugjatëve, sigurisht duke vlerësuar këtu edhe gatishmërinë e shërbimeve kufitare, policisë, armatës.
“Ajo që mungon janë kuadrot e trajnuara, resurset, mjetet për tejkalimin e problemit, para, të cilat Maqedonia nuk i ka, edhe më shumë se bëhet fjalë për problem global me të cilin duhet të menaxhojë bashkësia ndërkombëtare”, tha Seroka, duke vlerësuar se gjatë menaxhimit me problemin, përqendrimi kryesor duhet të orientohet drejt zbatimit të masave që të zvogëlohet vala e refugjatëve dhe emigrantëve në vend.