Gostivar, 17 nëntor – Këshilltarët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, informojnë se deri dje kanë siguruar shumicë mbi 16 këshilltarësh për të konstituuar Këshillin e Komunës së Gostivarit, andaj edhe inicuan konvokimin e seancës konstituive për ditën e sotme, informojnë këshilltarët komunalë të Gostivarit nga radhët e Aleancës me Besë dhe të Lëvizjes Besa. “Por, mbrëmë në orët e vona në Gostivar ka qëndruar ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski dhe duke keqpërdorur postin, ka arritur që me kërcënime dhe me shantazhime, të detyrojë disa këshilltarë të partive të vogla të kalojnë në anën e humbësit të zgjedhjeve. Ne këshilltarët e Aleancës për Shqiptarët dhe të Lëvizjes BESA, nuk e pamë të arsyeshme që të jemi pjesë e një seance konstituive të manipuluar skajshmërisht, andaj edhe e lëshuam të njëjtën”, thuhet në kumtesë.