Spanja me probleme të pazakonta, nuk di si të përdorë miliardat e ndihmave të Covid-19

33

Spanja po has vështirësi në gjetjen e mënyrave për të përdorur paratë kundër koronavirusit, pasi siguroi një pjesë të madhe të fondit të rimëkëmbjes së Bashkimit Europian, sipas burimeve për Reuters. “Kjo nuk është një krizë e parave, por një krizë e ideve”, raporton Reuters duke përmendur burimet që theksojnë një mungesë të projekteve konkrete të investimeve. Në një vend që nuk i’a ka dalë dot të miratojë një buxhet për vitin e plotë që prej 2016-s, për shkak të paralizës politike të tejzgjatur, nevoja për të marrë para shtesë përbën një sfidë. Spanja është goditur rëndë nga pandemia, ndërkohë që ka mbi 640,000 raste me Covid-19, që është numri më i lartë në Europën Perëndimore.
Ekonomia ra me 18.5% në tremujorin e dytë, një tkurrje që është kaluar vetëm nga Britania në Europë. Për të dalë nga kriza, Spanja do të marrë rreth 140 miliardë euro grante dhe kredi nga paketa e koronavirusit prej 750 miliardë euro e Bashkimit Europian.
Kjo përfshin 43 miliardë euro grante vetëm në 2 vitet e ardhshme, që është ekuivalent me rreth 8% të shpenzimeve vjetore. Burimet thonë se shpenzimi i të gjithë kësaj paraje nuk është i lehtë. Komisioni Europian ka rekomanduar që paratë nga paketa e rimëkëmbjes të shpenzohen në energji të gjelbërt, transport dhe investime në dixhitalizim. Kryeministri Pedro Sanchez ka ngarkuar zyrën e tij për të mbikëqyrur zbatimin e planit të rimëkëmbjes, ndërkohë që pritet të krijohet një grup këshillues i përbërë nga ekzekutivë të korporatave. Përveç fondeve të rimëkëmbjes, Brukseli ka miratuar 21 miliardë euro kredi të buta për Spanjën, që të financojë skemat e mbrojtjes së punësimit.

Comments are closed.