Lion, 20 shtator – Policia spanjolle dhe italiane sot kumtuan se kanë arrestuar 106 persona për shkak të përkatësisë ndaj grupit kriminel e cila ka pastruar para për grupin mafioz dhe ka fituar milion euro përmes mashtrimeve në internet. Shumica e anëtarëve të dyshuar janë shtetas italian dhe shumica e arrestimeve janë kryer në ishullin Tenerife, pjesë e Ishujve Kanarie, thuhet në kumtesën e Europol-it.
Sipas policisë italiane, të dyshuarit i kanë mashtruar viktimat e tyre, të cilët gjithashtu janë kryesisht italianë, të dërgojnë shuma të mëdha të llogarive në bankat spanjolle të kontrolluara nga grupi. Paratë pastaj janë pastruar përmes furnizimit të kriptovalutave ose janë riinvestuar në aktivitete tjera kriminele si prostitucioni, droga ose tregtia me armë.
Grupi ka realizuar fitim prej rreth 10 milion euro vitin e kaluar, kumtoi Europol.
Anëtarët e Organizatës, e cila shpesh herë përdor dhunë për t’i frikësuar viktimat dhe të zhvat para nga bizneset dhe individët, janë infiltruar në sektore të ndryshme të shoqërisë spanjolle, duke përfshirë banka dhe firma të avokatëve, kumtoi policia nacionale spanjolle. Gjatë operacionit, oficerët spanjoll dhe italian, kanë ngrirë 118 llogari bankare dhe konfiskuan 224 kartela kreditore dhe plantacion me marihuanë.
Njëzet nga të arrestuarit janë dërguar në burg në pritje për gjykim – 18 në Spanjë dhe dy në Itali.