Zbulohen detaje të reja mbi arsyet që shtynë drejtuesit e Interit, me në krye Marottën, të ndëshkojnë mesfushorin belg Radja Nainggolan, duke e pezulluar për ndeshjen me Napolin, e parashikuar për nesër në mbrëmje, dhe duke e gjobitur edhe me shifrën e “kripur” të 100 mijë eurove.
Sipas mediave italiane, gjithçka ka nisur pas humbjes me Chievon në Verona, ku mesfushori belg ka pasur një konfrontim aspak miqësor me disa tifozë të Curva Nord, tifogrupi më i zjarrtë i zikaltërve.
Më pas në mbrëmje, klubi është informuar se belgu përtej lodhjes dhe “dëshpërimit” për barazimin ndaj Chievos, kishte zgjedhur të festonte në diskotekë deri në orët e para të mëngjesit, gjë që më pas u pasua nga vonesa në stërvitjen e paradites.
Të gjitha këto gabim së bashku, detyruan Marottën të pezullojë belgun dhe ta gjobisë, ndërsa në konferencën e sotme për shtyp, Spalletti u shfaq optimist se mesfushori do të rikthehet në dispozicion të tij, duke filluar nga transferta ndaj Empolit në ndeshjen e fundit të vitit 2018.
“Jemi pjesë e një klubi, ku rregullorja është po aq e rëndësishme sa topi i futbollit, Më vjen keq që nuk do të kem një lojtar si Nainggolan për ndeshjen me Napolin, por mesfushori po punon me skuadrën dhe pas këtij pezullimi do të jetë në dispozicionin tonë”, deklaroi Spalletti në konferencën e sotme për shtyp.
Gjithsesi përtej optimizmit të trajnerit, mediat pranë klubit zikaltër raportojnë se pas ndeshjes së nesërme me Napolin, drejtuesit zikaltër do të kenë edhe një ballafaqim direkt me mesfushorin, për të kuptuar nëse mund të besojnë te kthesa e tij.
Megjithatë për momentin nuk përjashtohet mundësia që Nainggolan të mbetet i pezulluar edhe për ndeshjen me Empolin, ndërsa është e sigurt që Marotta po kërkon blerët për futbollistin, pasi nuk shikohet më si pjesë e rëndësishme e projektit.
Së fundi, zikaltrit i kanë ofruar Monacos kartonin e mesfushorit belg, në këmbim të kartonit të Keita Balde, me senegalezin që vërtetë nuk ka shkëlqyer gjithmonë kur ka luajtur, por ka treguar një profesionalizëm dhe angazhim për t’u pasur zili.
Një tjetër opsion për Nainggolan, është edhe Kina, ku disa klube kanë shprehur interes më herët për futbollistin, ndërsa zikaltrit kanë ende pishmanin që i “dhuruan” Romës talentin Zaniolo, në marrëveshjen për belgun.