Një tjetër fitore in “extremis” për Interin e trajnerit Luciano Spalletti, që pasi triumfoi në sekondat e fundit në Champions League ndaj Tottenham përsëriti të njëjtën skemë edhe ndaj Sampdorias në kampionat. Një gol në minutën e 94-t nga Brozovic i dhanë 3 pikët e radhës në Serinë A skuadrës zikaltër, ndërkohë që nga fusha doli me karton të kuq pikërisht trajneri Spalletti.
“Hyra në fushë dhe u drejtova nga telekamera për të bërritur për atë gol, ishte një moment shpërthimi. Gjyqtari i katërt më tha se e teprova. Më vjen keq, pasi u interpretua në mënyrë jo korrekte nga gjyqtarët, pasi një gol në ato momente ishte i rëndësishëm, duke parë se na u anulluan dy gola të tjerë”, tha Spalletti.
“Fitorja në fund të shijon më shumë, pasi këto janë ndeshje ku shpërthen nga gëzimi atëherë kur nuk mendon. Rrezikuam disi, por ia dolëm mbanë të fitojmë dhe marrim 3 pikët. Kjo është një skuadër e fortë, me karakter dhe që e tregoi këtë gjë në një fushë të vështirë. Episodet kundër? Nuk i komentoj, jam i sigurtë se VAR ka thënë të vërtetën”, tha Spalletti.