Dy vjet me intensitet nuk të bëjnë asgjë, por lënë shenjën e tyre, veçanërisht nëse ekipi që ke drejtuar është Interi. Luciano Spalletti i udhëhoqi zikaltrit drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve për sezonin e dytë radhazi, por kaq nuk mjaftoi për të ruajtur postin. Të dyja kualifikimet erdhën “in extremis”, në ndeshje “finale” me Lazio, më 2018, dhe Empolin, rreth tri javë më pare.
Mision i kryer mes qindra vështirësive, por në fund mbërriti shkarkimi nga stoli i Interit dhe emërimi aty i Antonio Conte. Pra, nuk do të ishte e çuditshme, nëse tekniku toskan do të pushonte pak, ndoshta një vit, për t’i riorganizuar idetë dhe kthyer në fushat e blerta më i karikuar se më parë. Egoja profesionale është brenda tij, ndaj do të kërkojë stimuj të rinj, diku tjetër.
Kjo është ajo që del nga fjalët e trajnerit në fjalë, që i tha nga “Certaldo Calcio”, klub i vendit të origjinës, për “Sky Sport”: “Unë duhet të përgatis verën. Tani kam gjithë kohën që dua, jam i lumtur të jem me bashkëqytetarët e mi. Kjo është shtëpia ime, duhet ta filloj nga ky lloj realiteti, me një president si shoku im, Massimo Boschini. Ka shumë të rinj të angazhuar në këtë klub dhe shumë njerëz që punojnë prapa skenave”.