SpaceX shtyn fluturimin historik për shkak të motit

18

Udhëtimi drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, i astronautëve të NASA-s në bordin e raketës Falcon 9, Koloneli i Marinsave në pension Doug Hurley dhe Koloneli i Forcave Ajrore Bob Behnken, u shty për të shtunën për shkak të motit me stuhi dhe vetëtima.

Udhëtimi do t’i jepte fund një pauze nëntë vjeçare të NASA-s.

Raketa e kompanisë private SpaceX, në pronësi të miliarderit Elon Musk, pritej të lëshohej të mërkurën pasdite nga Qendra e Hapësirës Kennedy në Florida.

Presidenti Donald Trump dhe Zëvendës Presidenti Mike Pence shkuan në Cape Canaveral për të parë nisjen, ku lista e të ftuarve ishte mjaft e kufizuar, për shkak të pandemisë COVID-19.

Para nisjes, Elon Musk dhe Administratori i NASA-s Jim Bridenstine, me maska mbrojtëse në fytyrë ishin të pranishëm në ndërtesën e Qendrës Kennedy për t’u takuar me dy astronautët, të cilët nuk mbanin maska. Astronautët pastaj dolën nga ndërtesa, përshëndetën me dorë anëtarët e familjes dhe
personat e tjerë dhe u futën në një makinë Tesla me të cilën shkuan në platformën e nisjes. Astronautët e NASA-s, Koloneli i Marinsave në pension Doug Hurley dhe Koloneli i Forcave Ajrore Bob Behnken ishin gati për nisje, kur nga qendra erdhi urdhri për shtyrjen e fluturimit historik.

Që nga viti 2011, e vetmja mënyrë për të shkuar në stacionin hapësinor për astronautët ka qenë me raketa ruse të lëshuara nga Kazakistani.

Fluturimi i tyre që tani pritet të bëhet të shtunën do të shënonte rikthimin e nisjes së astronautëve nga Shtetet e Bashkuara, si dhe të parin e këtij lloji nga një kompani private.

Comments are closed.