Sovrani dha verdiktin, shqiptarët e bënë diferencën!

249

Sovrani foli në zgjedhje. Qeveria e ardhshme duhet të jetë qeveri që buron nga verdikti i sovranit, pra me prioritet kryesor të ketë agjendën për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Qeveri stabile, me mandat katër vjeçar që do garantojnë implementimin e reformave pavarësisht çmimit politik që mund të bartë ky proces i vështirë

Nga Arjanit HOXHA

Pas përfundimit të procesit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, si duket edhe kthimi në normalitet po bëhet me një tempo e retorikës politike. Euforia e fushatës që kaploi votuesit u zbeh, ndërsa muskujt e politikanëve që premtuan gjithçka për asgjë, ende nuk janë shfryrë si ato gomat që mbajnë në duar fëmijët kur notojnë në pishina. Tash realiteti është komplet tjetër nga ai i fushatës, emocionet duhet të bien poshtë, ndërsa racionaliteti duhet të plotëson hapësirën e zbrazur mes realitetit dhe euforisë.

Një gjë ishte e qartë nga zgjedhjet e fundit parlamentar dhe kjo porosi është se Maqedonia e Veriut arriti të mbajë kursin politik pro evropian, normalisht ashtu si edhe në referendumin e organizuar për çështjen e emrit dhe më vonë edhe zgjedhjeve presidenciale, diferencën e kanë bërë votuesit shqiptarë.

Në kampin politik kushtimisht thënë maqedonas beteja zhvillohej mes një VMRO-DPMNE nacionaliste, e barrikaduar në pozicionet e ngurta të saj që nuk lë shumë shpresë për hapje të horizonteve të reja dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes gjithë kombeve, sidomos kur edhe në formë të hapur ka kërkuar votën e duke e shpalosur konceptin se shtetin e shohin si një tërësi ku të gjithë mund të jenë të barabartë por të nënshtruar nën superfuqinë e etnitetit maqedonas si dhe duke patur eksulizivitet mbi shtetit, gjë që u dëshmua shumë e rrezikshme gjatë qeverisjes të Nikolla Gruevskit si udhëheqës i VMRO-DPMNE që ndërtoi themelet e një nacionalizmi që edhe sot nuk mund të çlirohet kjo parti.

Nga ana tjetër kemi një oponent të VMRO-DPMNE që është LSDM e cila ka pësuar ndryshime në perceptimin politik duke e respektuar realitetin multietnik të vendit dhe duke investuar në ndërtimin e mirëbesimit dhe mundësive të barabarta për të gjithë bashkësitë etnike dhe gjithë kjo i dha LSDM-së një përparësi edhe në raport me faktorin ndërkombëtar duke e pozicionuar këtë parti si pro perëndimore, megjithatë, gjitha këto që përmenda më lart nuk kanë qenë të mjaftueshme që LSDM të korrë fitore por detyrimisht i duhej një subjekt politik shqiptar që në rastin konkret ka qenë Lëvizja BESA për të bërë diferencën e fitores dhe me këtë të betonon orientimin euro-atlantik të shtetit. Për përparësitë, përfitimet apo dështimet dhe mangësitë e këtij lloj të koalicionit që ndoshta nuk ka të përbashkët ideologjinë partiake por përcaktimin ideologjik të ardhmërisë së shtetit do e komentoj në ndonjë nga opinionet e radhës.

Sa i takon partive politike shqiptare të cilat qoftë Lëvizja BESA si pjesë e koalicionit me LSDM qoftë partitë e tjera si BDI, PDSH dhe ASH, suksesin e arritën me faktin që për herë të parë në historinë e shtetit shqiptarët kemi numrin më të madh të deputetëve në një përbërje parlamentare, në të cilën do ketë 33 deputetë shqiptarë. Sa i takon betejës politike të zhvilluar mes partive politike shqiptare të koncentruara vetëm në kampin etnik mund të thuhet se beteja ka qenë e pastër për pushtet dhe jo me një ofertë për përcaktim ideologjik. Ndoshta koalicionimet e panatyrshme, megjithëse arritën të fitojnë një numër të konsiderueshëm deputetësh ato nuk arritën që të sjellin ndryshimin e premtuar dhe tani pas zgjedhjeve në sytë e votuesve shqiptarë po rikthehet fotografia e se kaluarës se BDI vazhdimisht fiton ndërsa partia pas BDI-së mbetet e kënaqur me faktin se është opozita e vetme. Besoj na kujtohet të gjithëve thëniet “zgjedhjet i humbëm por baba i opozitës dihet kush është”, dhe kur e sheh formën e mos mbajtjes së përgjegjësisë për atë se ASH nuk arriti të fitojë BDI-në, menjëherë rikthehet pikërisht ky moment se jo çdoherë betejat po bëhen për të fituar por me rëndësi për disa politikanë ka qenë të jenë të dytët. Edhe për këtë temë ka për t’u thënë shumë, por me siguri në ndonjë nga opinionet në të ardhmen.

Ajo që shumë kush po e lë pa analizuar nga këto zgjedhje është paralajmërimi për radikalizimin e skenës politike, kryesisht te partitë maqedonase. Për herë të parë do kemi në Kuvendin e vendit edhe deputetë nga partia “E Majta”, që paraqet një subjekt politik majtist, radikal i cili në esencë nuk është votuar nga maqedonasit për shkak të programit apo ofertës politike, por thjesht kjo parti është shndërruar në akumulues të mllefit dhe revoltës të bashkësisë etnike maqedonase të cilët kanë humbur shpresën në binomin politike LSDM-VMRO. Nëse këto dy parti nuk arrijnë që të reflektojnë në politikbërje, detyrimisht po krijojnë një bombë të kurdisur, e cila mund të ndryshojë rrënjësisht karakterin e shtetit apo thënë ndryshe mund të sjellë në pikëpyetje ekzistencën e vetë shtetit nëse partia politike “E Majta” gjen hapësirë për t’u rritur. Me fjalë tjera, ajo që paraqiste në Greqi partia “Agimi i Artë” si parti ekstreme djathtiste, në Maqedoninë e Veriut mund të paraqitet partia ekstreme majtiste “E Majta”. Çdo forcim i këtij koncepti do vështirësonte ose thënë drejt do pamundësonte funksionimin e koalicioneve të tipit LSDM-BESA, dhe do betononte betejat politike vetëm të izoluara në rovet etnike, afatgjatësia e të cilave detyrimisht në një të ardhme jo shumë të largët do imponojë ndryshime të sistemit politik të vendit.

Një gjë mund të thuhet se, shqiptarët ashtu si në vitin 2016, edhe tani në vitin 2020 dëshmuan se janë të gatshëm të zgjatin dorën e bashkëpunimit, për të ndërtuar Maqedoninë e Veriut mbi bazën e partneritetit të plotë. Tash radhën e kanë partitë politike maqedonase, në rastin konkret LSDM për të vazhduar konceptin e partneritetit mes shqiptarëve, maqedonasve dhe gjithë bashkësive tjera etnike si një model identik që po aplikon Bashkimi Evropian me gjithë vendet e saj anëtare. Në Bashkimin Evropian mund të integrohemi vetëm duke respektuar dhe aplikuar vlerat e diversitetit që përbëjnë tërësinë e suksesit.

Sovrani foli në zgjedhje. Qeveria e ardhshme duhet të jetë qeveri që buron nga verdikti i sovranit, pra me prioritet kryesor të ketë agjendën për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Qeveri stabile, me mandat katër vjeçar që do garantojnë implementimin e reformave pavarësisht çmimit politik që mund të bartë ky proces i vështirë. Partitë politike që do përbëjnë shumicën parlamentare duhet të jenë të gatshme që të heqin dorë nga populizmi dhe të kujdesen për të rritur rejtingun e shtetit dhe jo rejtingun e partisë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Comments are closed.