Shkup, 13 prill – Liria e mediumeve në Maqedoni ngadalë por jetësohet, por megjithatë ekzistojnë akoma shumë çështje kritike, thotë në intervistën për MIA-n ambasadorja e OSBE-së në largim, Nina Soumalainen.
Ai përparim, shton ajo, tashmë është vërejtur në raportin e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-së për zgjedhjet lokale vitin e kaluar, në të cilin, mes tjerash, ishte përmendur se mediuemt kanë raportuar në mënyrë të balancuar për pjesëmarrësit në procesin zgjedhor.
Si kritike i ceki sfidat me të cilat përballet RTVM, mes të cilave edhe zgjidhjet kadrovike dhe pandëshkueshmërinë e veprave kriminale të kryera ndaj gazetarëve.
“Plotësisht të vetëdijshëm për nevojën e përmirësimit të sigurisë së gazetarëve, Misioni ynë ka bashkuar forcat me Shoqatën e Gazetarëve dhe Ministrinë e punëve të brendshme me të cilët do të punojmë së bashku për të përmirësuar sigurinë e gazetarëve dhe për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve”, thotë Soumalainen.
Në intervistën për MIA-n, ajo flet për disa tema, reformat në sistemin juridik, krizën e emigrantëve, ligjin për gjuhët, terrorizmin, kontrollin e armëve. policinë, barazinë gjinore, ndërkaq flet edhe për hapat e saj të mëtutjeshëm në karrierë.
Soumalainen thekson se OSBE mbështet proceset e zhvillimit të gjyqësisë së pavarur dhe të paanshme me një staf profesional që është i lirë nga ndikimi i panevojshëm, eposaçërisht e përshëndeti punën e PSP-së, për të cilën tha se, prej se është formuar, ka ngritur 20 aktakuza, të cilat u konfirmuan të gjitha, dhe gjykimet tani janë në vazhdim.
Si arritje të posaçme të misionit derisa e kryesonte ajo, e përmendi përgjigjen ndaj krizës së emigrantëve dhe mbështetjen e shpejtë efektive për policinë kufitare.
“Ne vendosëm ekipet mobile në kufij dhe ndërmorëm hapa për të ndihmuar autoritetet të forcojnë menaxhimin e kufijve. Ne gjithashtu promovuam bashkëpunimin rajonal për të zbuluar grupet e krimit të organizuar të trafikimit të qenieve njerëzore nga mesi i emigrantëve”, theksoi Soumalainen në intervistë për MIA-n.
Duke pasur parasysh se qëllim primar i Misionit të OSBE-së është implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila do të rrumbullakësohet me ligjin për gjuhët, ajo thotë se shteti duhet të punojë me të gjithë qytetarët, pa dallim të prejardhjes së tyre dhe shtoi se gjuha është çështje e rëndësishme në shtetet multietnike.
Thotë se në Finlandë, vendin nga i cili vjen, ka dy gjuhë kombëtare, finlandisht dhe suedisht. pakica suedeze në Finlandë, shton ajo, paraqet më pak se gjashtë për qind të popullatës së përgjithshme.
“Ne kemi qenë pjesë e Suedisë deri në vitin 1809, por për arsye historike dhe për parimet e bashkëpunimit nordik, ne kemi kërkuar të ruajmë suedishten si gjuhë zyrtare. Varet nga çdo shtet dhe qytetarët e vet të përcaktojnë rrugën përpara, përfshi edhe çështjen e gjuhës. Nuk ka një model të vetëm që zbatohet nga e drejta ndërkombëtare, por unë mund t’ju siguroj se Misioni ynë do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet që kanë për qëllim të ndërtojnë një shoqëri të vërtetë kohezive dhe multi-etnike”, tha Soumalainen në intervistë për MIA-n.
Nga Maqedonia ajo largohet në pozitën e drejtoreshës së përgjithshme të organizatës joqeveritare Përgjigje e shpejtë për drejtësi (Justice Rapid Response), me seli në Gjenevë, e cila i ndihmon komunitetit ndërkombëtar t’i vejë fund pandëshkueshmërisë së krimeve dhe shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut përmes parashtrimit të hetimeve të shçejta, të paanshme dhe të zbatuara mirë.
Për atë se kush do të jetë pasardhësi i saj në Maqedoni, thotë se procedura për zgjedhje ende është në rrjedhë dhe se janë nominuar disa kandidatë, ndërsa deri në emërimin e ambasadorit të ri, Misionin do ta kryesojë Xhef Golldstain.