Sot Manchester United dhe Barcelona janë të gatshme të shpenzojnë miliona euro për të marrë në skuadër Frenkie de Jong, por ai është transferuar nga Willem II për tek Ajax për pak më shumë se 1 euro.
Në gusht, katalanasit bënë një ofertë prej 30 milionë eurosh për sulmuesin por që u refuzua nga klubi holandez, pasi drejtuesit e Ajax nuk donin të ndaheshin kaq shpejt nga një talent si De Jong. Por për çdo marrëveshje që do të mund të realizohet në të ardhmen, do të fërkojnë duart edhe te Willem II.
Klubi i vogël holandez e ka lënë të lirë lojtarin të largohej për tek Ajax, praktikisht falas, por duke futur në kontratë një klauzolë që i siguron 10% të shifrës së shitjes së tij të mundshme në të ardhmen. Ajax shpreson që ta shesë lojtarin për dyfishin e shifrës së ofruar nga Barcelona, çka do të bënte të pasur edhe Willem II.
Por vetë lojtari duket se është i lodhur për lajmet e shumta që qarkullojnë rreth tij. Në një intervistë për “Elf Voetbal”, ai tha: “Në fillim ishte argëtuese dhe një vlerësim për mua të lidhesha me Barcelonën, por pas një fare kohe u bë e mërzitshme. Për momentin unë do të qëndroj tek Ajax, të paktën edhe një vit tjetër e ndoshta edhe dy ose tre, ose më shumë. Më pëlqen shumë të luaj këtu”.
Megjithatë, De Jong nuk e fsheh se dëshiron që një ditë të luajë në “Camp Nou” përkrah Lionel Messit. “Nëse përfundoj në një klub të nivelit të lartë atëherë do të luaj me lojtarë të klasit botëror. Sigurisht që do të doja të luaja një ditë me Messin. Por ai është 31 vjeç, kështu që duhet të nxitoj”.