Shkup, 1 dhjetor – Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot vazhdon debati për amendamentet kushtetuese. Seanca plenare mund të zgjasë 12 ditë, pasi për çdo amendament është parashikuar debat prej prej tre ditësh. Në këtë fazë të dytë për miratimin e amendamenteve nevojiten 61 vota. Megjithatë, pritjet sipas, Kryetarit të Kuvendit janë se seanca do të përfundojë më shpejtë.
Seanca është caktuar për në orën 11:00, ndërsa në Rend dite është Teksti i projekt-amendamenteve të XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
Me amendamentin e parë parashihet në Kushtetutë fjalët “Republika e Maqedonisë” të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa fjala “Maqedoni” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia e Veriut”, përveç në nenin 36, i cili e ka aspektin historik dhe ka të bëjë me “të drejtat e veçanta sociale të luftëtarëve të Luftës Antifashiste dhe prej të gjitha luftërave nacionalçlirimtare të Maqedonisë”.
Me të dytin intervenohet në Preambulën e Kushtetutës dhe fjalët “vendimet e KAÇKM-së” zëvendësohen me fjalët “Manifesti i Seancës së Parë të KAÇKM-së” dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit.
Amendamenti i tretë thekson se “Republika e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje”, ndërsa i katërti ka të bëjë me të zhvendosurit dhe në të parashihet se “Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të tyre të cilët jetojnë ose qëndrojnë jashtë vendit dhe i zhvillon lidhjet e tyre me atdheun ndërsa nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme.
Faza e dytë e ndryshimeve kushtetuese duhet të përfundojë deri më 18 dhjetor, ndërsa e gjithë procedura deri nga mesi i janarit.
Pas miratimit të amendamenteve kushtetuese në Kuvend propozuesi i ndryshimeve kushtetuese gjegjësisht Qeveria duhet të organizojë debat publik prej tre ditësh, ndërsa më pas i ka dy ditë të përgatisë raport dhe ditën e pestë ta dorëzojë në Kuvend. Xhaferi më pas është i obliguar në afat prej 30 ditësh të caktojë seancë për sjelljen përfundimtare të amendamenteve, për çka përsëri, si në fazën e parë, duhet shumicë prej dy të tretash. Me këtë finalizohet procedura për ndryshimet kushtetuese, të cilat dalin prej Marrëveshjes së Prespës.
Më 19 tetor Kuvendi me mbështetje prej 80 votash dhe 39 kundër, e filloi procedurën për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese. Shumica prej dy të tretash u sigurua me tetë votat e deputetëve të VMRO-DPMNE-së opozitare, një pjesë e tyre të akuzuar në rastet e PPS-së dhe për ngjarjet e 27-prillit.