Shkup, 9 shkurt – Pas një sërë seancash të mbyllura në procesin gjyqësor për “Lagjen e Trimave”, nga sot seancat gjyqësore do të jenë të hapura për opinionin. Këtë për gazetën KOHA e kanë konfirmuar nga Gjykata Penale e Shkupit, prej ku theksojnë se brenda këtij muaji parashihet të mbahen 6 seanca gjyqësore. Pala mbrojtëse e të akuzuarve ka bërë të ditur se gjatë këtyre seancave gjyqësore do të bëjnë prezantimin e dëshmive të tyre, përfshirë këtu edhe dëshmitë dhe prezencën e ish krerëve të lartë të shtetit dhe rrëfimet e 37 të akuzuarve. Karakteri i mbyllur i këtij gjykimi që e shoqëroi këtë proces gjatë muajve të kaluar, ka ndikuar që gazetarët dhe mediat në përgjithësi të jenë të kufizuar në raportimin e ngjarjeve nga seancat gjyqësor, në masë të madhe për shkak se Ligji për procedurë penale, parasheh që kur prokuroria të prezanton dëshmitë nga Masat e Veçanta Hetuese (MVH), opinioni mos të jetë prezent. Sidoqoftë, hapja e këtij gjykimi do të bëhet në prag të një vjetorit të fillimit të gjykimit të Grupit të Kumanovës, i cili nisë me 13 shkurtë të 2016, ndërsa disa muaj më vonë në qershor të po të njëjtit vit kësaj lëndë iu shtuan të akuzuarit për “logjistikë” të cilët u arrestuan në aksionin policor “Rrufeja”. Përpos dëshmive materiale që Prokuroria i ka prezantuar së fundmi, ajo gjatë vitit të kaluar në bankën e dëshmitarëve i pat ulur edhe një varg banorësh të “Lagjes së Trimave”, respektivisht pjesëtar të njësisë speciale të cilat duke i nënshtruar pyetjeve të kryqëzuara nga prokurorët dhe avokatët rrëfyen përjetimet e tyre ngjarjet e majit të dy viteve më herët. (O.Xh.)