Sot, Qeveria do të mbajë seancë në Tetovë

Shkup, 12 nëntor 2019 (MIA) – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sonte në Tetovë do ta mbajë seancën e 165-të. Para mbajtjes së seancës do të ketë edhe aktivitete të ministrave në terren, njofton KOHA.

Siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, ministrat e Transportit dhe Lidhjeve dhe të Ekonomisë, Goran Sugareski dhe Kreshnik Bekteshi dhe drejtorët e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dhe të NP Rrugët e Maqedonisë, Zoran Kitanov dhe Bekim Memedi do të vizitojnë nga afër rikonstruimin e transitit nëpër Tetovë, rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë.

Ministri Bekteshi do ta vizitojë kompaninë “Feder Bau” në Zonën Industriale Tetovë. Sekretari shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Nefrus Çeliku do të bëjë shqyrtimin e punimeve ndërtimore në sistemin e ujitjes Raven – Reçicë në fshatin Toplicë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Felipçe do ta vizitojë Qendrën Klinike në Tetovë ndërsa ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska dhe drejtoresha e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska do ta vizitojnë furrën “Remini”. (koha.mk)