Shkup, 21 mars – Me moton “Pranverë PA DREJTËSI”, sot në orën 13:00 do të protestohet para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për të shprehur, siç thuhet në thirrje, revoltën ndaj mafies gjyqësore në rastin “ALMIRI”.
“Ju presim në Protestë të shprehni revoltën tuaj ndaj mafies gjyqësore. Sillni me vete lodër, veshje apo çkado më të zemrës nga fëmija apo nipi/mbesa juaj.Protesta do të jetë e qetë sepse do të ketë shumë nëna dhe fëmijë”, thuhet në thirrje.
Protestat kundër rikualifikimit të veprës penale prej “vrasje” në “vepër e rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” i nisi Iniciativa qytetare “Drejtësi për Almirin”.
“Almirin e rivrau sistemi gjyqësor i kapur nga politika dhe struktura të tjera. Ashtu siç kemi protestuar si në mort deri tani, ashtu do të protestojmë të mërkurën. Heshtja mortore është më e fuqishme se mijëra brohoritje. Më 21 mars, në ora 13, para Qeverisë do të protestohet qetë kundër drejtësisë së kalbur të Maqedonisë. Do të protestojmë për t’ju dhënë fund pranverave pa drejtësi”, thonë nga Iniciativa.
Prokuroria e Kumanovës më 15 mars në fjalën e fundit e rikualifikoi aktakuzën kundër Boban Iliqit për rastin “Almir” nga “vrasje” në vepër penale “vepër e rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” nga neni 300 paragrafi 2 lidhur me nenin 297 paragrafi 1 nga Kodi Penal.
Gjykata e ndërpreu paraburgimin për të akuzuarin e parë Iliq për shkak të tejkalimit të periudhës së paraparë ligjore nga dorëzimi i aktakuzës.
Pas vendimit të tillë të gjykatës, prokurorët publikë, Ferat Elezi, Bashkim Besimi, Xhelal Bajrami dhe Ismail Dardhishta në lidhje me rastin e Almirit të vogël reaguan dhe vlerësuan se me rikualifikimin e veprës penale “vrasje” në “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion” është bërë shkelje e parimeve kryesore të Ligjit për Prokurori Publike, të cilat njëherësh janë edhe vlerat themelore të Kushtetutës së RM-së.
Në shkresën për mediat të nënshkruar prej katër prokurorëve të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë qëndron:
“Lidhur me rastin e njohur në opinion si “rasti i Almirit të vogël”, ne prokurorët publikë të Prokurorisë Publike të RM-së dëshirojmë ta informojmë opinionin më të gjerë me rikualifikimin e veprës penale “vrasje” të paraparë në nenin 123 paragrafi 2 pika 3 të Kodit Penal të RM-së si vepër e rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion, është bërë shkelje e parimeve themelore të Ligjit për Prokurorinë Publike siç janë parimi i ligjshmërisë, i paanshmërisë dhe objektivitetit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve të cilat njëherësh janë edhe vlerat kryesore dhe themelore të Kushtetutës së RM-së”, qëndron në kumtesë.
Pas reagimit në opinion të katër prokurorëve shqiptarë pasoi edhe reagimi i Prokurorit Publik shtetëror, Lubomir Joveski i cili dënoi veprimin e prokurorëve në PPRM për kumtesën e publikuar për lëndën penale në lidhje me vdekjen tragjike të Almir Aliut, pasi që konsideron se kjo mënyrë e të drejtuarit është joprofesionale dhe është shkelur, siç vlerëson, Kodi Etik i Prokurorëve Publikë në Maqedoni.
Në vazhdimin e reagimeve të ndryshme në lidhje me këtë rast, mbrëmë Ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji dha dorëheqje nga funksioni ministër i Drejtësisë, për shkak të, siç elaboroi, besimit të lëkundur në gjyqësi pas vendimit për rikualifikimin e aktakuzës në rastin e Almirit të vogël.
“Pushteti gjyqësor, është i pavarur dhe i tillë duhet të mbetet, por unë si njeriu i parë i Ministrisë së Drejtësisë për shkak të këtij besimi të lëkundur ndjej obligim moral të jap dorëheqje nga funksioni ministër, jo si akt i mossuksesit apo presionit, por si akt për të cilin shpreson se do të jetë në drejtim të ngritjes së vetëdijes dhe vëmendjes së institucioneve dhe të gjithë shoqërisë për reforma pa kompromis në gjyqësi” tha Saliji.
I akuzuari Boban Iliq ngarkohet për shtypje me makinë të katërvjeçarit Almir Aliu më 25 qershor të vitit 2016, pas grindjes paraprake banale me të atin e djaloshit, në Shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë në rrugën “Boris Kidriç”. Almiri katërvjeçar ndërroi jetë nga lëndimet e marra më 1 korrik të vitit 2016.