Shkup, 14 shtator – Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi për sot në orën 13 e caktoi seancën kuvendore, në të cilën pikë e vetme është shkarkimi i prokurores publike, Katica Janeva, e cila është e dyshuar për rastin “Reket”.
Më 5 shtator Komisioni për zgjedhje dhe emërime pas dyerve të mbyllura në mënyrë unanime dhe pa debat e solli konstatimin për t’i propozuar Kuvendit ta shkarkojë prokuroren publike speciale Katica Janeva. Vendimi është marrë në bazë të raportit të Këshillit për Prokurorë Publikë për shkarkimin e Janevës për shkak të punës joprofesionale, joligjore dhe të papërgjegjshme.
Në seancën plenare nuk do të debatohet për raportin e Këshillit të PP-së, por vetëm për propozimin për shkarkim. Vendimi merret me shumicë prej dy të tretash dhe me të a.q. votim të Badenterit, ndërsa në fund duhet ta konfirmojë edhe Këshilli i prokurorëve.
Në materialet e vendosura në ueb-faqen e Kuvendit, ndërsa lidhur me shkarkimin e Janevës, krahas konstatimit të Komisionit për të cilin deputetët duhet të debatojnë, janë vendosur edhe pëlqimi prej katër partive politike me numrin më të madh të deputetëve LSDM, VMRO-DPMNE, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.
Janeva për momentin është në paraburgim, si e dyshuara e tretë në rastin “Reket”.