Shkup, 24 janar – Pas takimit të dy kryeministrave Zaev dhe Cipras që pritet të mbahet sot në Davos në kuadër të negociatave për zgjidhjen e çështjes së emrit, në Shkup planifikohet takim liderësh për arritjen e konsensusit të brendshëm. Pavarësisht se akoma nuk është arritur konsensus i brendshëm nacional as në Greqi, takimi mes dy kryeministrave pritet me optimizëm të matur nga të dyja Qeveritë.
Pas përfundimit të takimit në Davos që do ta ketë kryeministri Zaev me kryeministrin, Cipras besoj se do të ketë një takim ndërmjet liderëve të partive politike për të shqyrtuar kornizën dhe pastaj do të marrim një qëndrim visa-vi kësaj kornize – deklaroi Bujar Osmani, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.
Sipas mediave greke, takimi i sotëm ka rëndësi të madhe pasi presin nga kryeministri grek, Cipras të paraqesë në tavolinën e negociatave qëndrimin e Athinës për emër të përbërë me përcaktues gjeografik ose kohor. Ndërkohë autoritetet greke përsërisin qëndrimin se duan një zgjidhje për përdorim të përgjithshëm, respektivisht erga omnes. Kreu i komunës së Selanikut, Janis Butaris për mediat greke tha se është shumë keq që Maqedonia të konsiderohet vetëm greke dhe të protestohet për të, por se gjithsesi Kushtetuta e Shkupit duhet ndryshuar. Ndërsa ambasadori i SHBA-ve në Athinë, Xhefri Pajët pas takimit me Butarisin kishte thënë se tani është momenti ideal për zgjidhjen e çështjes, pasi me ndryshimin e Qeverisë së Shkupit janë krijuar kushte për bisedime konstruktive.