Stefano Pioli është në prag të nënshkrimit të kontratës së re me Milanin. Sipas “La Gazzetta dello Sport” njoftimi pritet të vijë sot. Marrëveshja e trajnerit me klubin kuqezi skadon në qershor të vitit të ardhshëm, por drejtuesit janë të kënaqur me punën e tij dhe dëshirojnë të vazhdojnë bashkëpunimin.
Me 2 milionë euro rrogë vjetore, tekniku është mes më pak të paguarve për sa i përket atyre që stërvisin ekipet e mëdha të Serisë A.
AFAT DHE SHIFRA – Marrëveshja pritet të zyrtarizohet, teksa e përditshmja italiane ka bërë të njohur afatet dhe shifrat. Bëhet fjalë për një kontratë dy vjeçare me mundësi për ta zgjatur edhe me një tjetër sezon. 56-vjeçari do të paguhet 4 milionë euro në vit, por nuk do të mungojnë bonuset e lidhura me renditjen në kampionat dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Nën drejtimin e Piolit, Milani ka pasur rritje të dukshme në dy sezonet e fundit. Kjo ecuri ka kulmuar me kualifikimin në fazën e grupeve të Champions-it pas shtatë vitesh pritjeje, ndërsa këtë edicion “Djalli” është mes pretendenteve për ta fituar titullin e kampionit në Serinë A.
ECURIA – Këtë sezon, Stefano Pioli po bën një punë të shkëlqyer me klubin e tij, ku në 13 javët e para ka marrë 10 fitore dhe dy barazime, teksa disfatën e parë e provoi vetëm në fundjavën e kaluar kur humbi kundër Fiorentinës. Aktualisht kuqezinjtë mbajnë vendin e parë të renditjes me 32 pikë, aq sa ka edhe Napoli.
Kujtojmë se trajneri toskan iu bashkua kuqezinjve në tetor të vitit 2019 dhe që nga ajo kohë ai ka drejtuar Milanin në 106 ndeshje në të gjitha kompeticionet, prej të cilave ka marrë 69 fitore, kundrejt 27 barazimeve dhe 20 humbjeve. Me kuqezinjtë ai ka një mesatare prej 1.96 pikësh për ndeshje në të cilat ekipi ka shënuar 211 gola, teksa ka pësuar 133 të tillë.