Strasburg, 17 janar – Parlamenti Evropian (PE) sot në Strazburg do të zgjedhë kryetar të ri, i cili do ta pasojë Matrin Shulcin, ndërsa mundësi më të mëdha për fitore, sipas vlerësimeve kanë dy italianë dhe një belg. Midis kandidatëve, për të cilët do të deklarohen 751 anëtarë të PE-së në selinë e Parlamentit në Strasburg, megjithatë kryeson politikani italian Antonio Tajani – ish zëdhënës i Silvio Berluskonit. PE ballafaqohet me zgjedhje të stuhishme pas rënies së koalcionit të partive proevropiane gjatë kohës kur BE-ja, e cila është e goditur nga kriza, ballafaqohet me një valë të populizmit euroskeptik, transmeton Tanjug. Të paktën shtatë kandidatë e pretendojnë këtë funksion-tre italianë, dy belgë, një rumun edhe përkundër Bregzitit, britanikja Xhin Lambert. Tajani (63) u kandidua nga radhët e Partisë Evropiane Popullore e qendrës së djathtë – grupi më i madh në parlament nga 751 vende, dhe për këtë arsye vlerësohet se ai do të fitojë. Tajani ka përvojë solide – ka qenë komisar i BE-së për qarkullim nga viti 2008 deri në vitin 2010, e pastaj komisar për industri nga viti 2010 deri në vitin 2014. Në PE, Tajani hyn në vitin 1994. Atë vit është bërë anëtar i partisë Forca Italia të ish-kryeministrit italian Silvio Berluskoni. Mes kandidatëve është edhe një liberal, ish kryeministri belg, Gi Verhofshtat. Verhofshtat ka qenë kryeministër belg nëntë vite nga viti 1999 deri në vitin 2008. Nga viti 2009 është deputet në PE, ku e ka kryesuar Lidhjen e liberalëve dhe demokratëve për Evropën (ALDE). Italiani tjetër në garë është Xhani Pitela nga radhët e socialdemokratëve. Edhe pse sipas marrëveshjes paraprake kryetari aktual Martin Shulc është dashur ta zëvendësojë ndonjë nga EPP, kjo marrëveshje me siguri nuk do të vlejë pasi që Pitela ka hyrë në garë.