Shkup, 21 qershor – Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut përderisa identifikohen me kombin shqiptar, dhe pretendojnë që luftojnë për të drejtat e shqiptarëve, duhet të organizohen dhe ta ftojnë popullin shqiptar të dalë në protesta masive kundër padrejtësisë që i është bërë Almirit të vogël. Kështu shkruan aktivisti dhe filozofi shqiptarë që jeton dhe vepron jashtë Maqedonisë, Sead Zimeri, ndërsa shton se përveç Almirit, sot u ridënua i tërë populli shqiptar, raporton gazeta KOHA.
“Simbolika e këtij rasti tejkalon rastin e një padrejtësie të këtillë, sepse përmes kësaj padrejtësie dënohet i tërë populli shqiptar, konsiderohet jo i barabartë me të tjerët, dhe kjo pabarazi qytetare nuk mbetet vetëm simbolike por fuqizohet përmes gjykatave dhe ligjit. Është e drejta jonë me qenë të barabartë. Nuk duhet aspak të bëjmë justifikime për mungesën e të drejtave tona, sepse nuk po kërkojmë mëshirë, apo përkrahje morale. Po kërkojmë barazi të plotë para ligjit. Maqedonasit që duan shtet modern duhet po ashtu t’i përkrahin kërkesat tona për të drejta të barabarta. Por, na përkrahën apo nuk na përkrahën, ne duhet t’i marrim të drejtat tona”, shkruan Zimeri. (koha.mk)