Sot në Zurich të Zvicrës në orën 17:00 do të hidhet shorti i fazës play-off për eliminatoret e Botërorit Katar 2022 në zonën evropianë. Shorti që do të hidhet në Zurich aty ku do të mësojnë fatin e tyre dy kombëtare të mëdha të cilat nuk siguruan dot të drejtën e kalimit direkt në Kupën e Botës, Italia dhe Portugalia, por Maqedonia e Veriut që merr pjesë për herë të parë në histori në fazën play-off për të siguruar të drejtën e kalimit në një Kupë Bote.
Kombëtarja e vendit tonë e insipruar edhe nga tre shqiptarët Enis Bardhi, Ezgjan Alioski dhe Visar Musliu bën pjesë në vazon e skuadrave jo favorite dhe shpreson të evitojë në short Italinë dhe Portugalinë dhe pse jo Suedinë dhe Rusinë me Skocinë e Uellsin që do të ishin opsionet më të mira.
Kjo fazë play-off e Kupës së Botës, ndryshe nga edicionet e shkuara do të jetë me dy raunde dhe me ndeshje teke me Italinë e Portugalinë që edhe pse janë koka grupi duhet të eliminojnë dy kombëtare për të shkuar në Katar. Faza gjysmëfinale do luhet në fushat e kokave të serisë, pra kombëtareve që kanë bërë më mirë në grupet eliminatore, me ndeshje teke që në rast barazimi do të shkojnë fillimisht në shtesë dhe më pas te penalltitë.
Të 6-ta sfidat gjysmëfinale do të luhen te enjten e 24 marsit ndërsa faza finale do të zhvillohet të martën e 29 marsit ku do përcaktohet edhe tre ekipet e fundit nga Evropa që do të jenë pjesë e Katar 2022. Ndërkohë në tre sfidat finale se cila do të jetë skuadra pritëse do të përcaktohet me short. Rusia dhe Ukraina për shkak të konfliktit politik nuk mund të shortohen mes tyre pasi janë në vazo të ndryshme dhe mundësitë ekzistojnë. Më poshtë keni edhe 2 vazot me 12 kombëtaret që luajnë për biletat e fundit, ku do të përcaktohen edhe 6 sfidat gjysmëfinale.
Kokat e serisë:
Portugalia
Skocia
Italia
Rusia
Suedia
Uellsi
Vazo e dytë:
Turqia
Polonia
Maqedonia e Veriut
Ukraina
Austria
Republika Çeke