Në Kuvend sot pritet të mbahet takim midis kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarëve të partive politike shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Zijadin Sela dhe Afrim Gashi.
Në takim duhet të bisedohet për ligjin për shtetësinë dhe zgjidhjen e problemit të pashtetësisë së një numri të caktuar të qytetarëve, si dhe zhbllokimin e punës së Kuvendit, shkruan gazeta KOHA.
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i konfirmoi për Radion Evropa e Lirë fjalët e Kryeministrit Zaev se me dëshmitarë nuk do të merret shtetësi, por me dokument, i cili do të konfirmojë se personi jetonte në Maqedoninë e Veriut.
Ndër dokumentet që pritet të jenë të vlefshme si provë janë librezat e nxënësve dhe shëndetësorë, librezat e punëtorëve dhe kursimeve në bankat në të gjithë vendin, faturat për energji elektrike të paguar, ngrohje ose ujë, dëshmi për pronë, vërtetim për taksë të paguar, patundshmëri, bujqësi ose vendim tjetër tatimor, vërtetim për mjekim të përfunduar në një qendër shëndetësore ose dëshmi të tjera nga autoritetet shëndetësore që e konfirmojnë qëndrimin e përhershëm në territorin e Maqedonisë së Veriut. Zgjidhja e çështjes së shtetësisë do të kontribuojë gjithashtu në zhbllokimin e Kuvendit nga mijëra amandamente të paraqitura nga Aleanca për Shqiptarët dhe koalicioni Alternativa.
Dy javë më parë, Kryeministri Zaev, së bashku me disa ministra, u takuan me koordinatorin e grupit parlamentar të Aleancës së Shqiptarëve dhe Alternativës, Skender Rexhepi dhe zëvendësen e tij në lidhje me ligjin e shtetësisë, e cila ishte arsyeja e bllokimit të njëzet ligjeve në Parlament. Në atë kohë edhe Zaev edhe Rexhepi thanë se janë optimistë për zgjidhjen e kësaj çështje. (koha.mk)