Shkup, 13 shkurt – Sot dhe nesër, 14 dhe 15 shkurti, janë shpallur ditë zie për shkak të aksidentit tragjik, që ndodhi në magjistralen Shkup – Tetovë pranë fshatit Llaskarcë.
Numri i fundit i të vdekurve, siç kumtoi mbrëmë kryeministri Zoran Zaev, është 14 persona, ndërsa gjashtë të tjerë po luftojnë për jetë.
Ekspertiza në vendin e ngjarjes duhet të vazhdojë sot në mëngjes në orën 8. Zaev paralajmëroi se sot do t’i vizitojë të lënduarit në spital, ndërsa ditëve në vijim do të merren vendime për mbështetjen e familjeve të personave që humbën jetën.
Sot në ora 12 seancë të jashtëzakonshme me rastin e ngjarjes tragjike do të mbajë Komuna e Gostivarit. Pritet që këshilltarët të marrin vendim për shpalljen e tre ditëve zie në shenjë respekti ndaj viktimave.
Autobusi i kompanisë “Durmo turs” dje rreth orës 17 është rrokullisur në autostradën Shkup – Tetovë te fshati Llaskarcë. Zyrtarisht nuk u kumtua sa udhëtarë ka pasur në autobus, edhe pse jozyrtarisht flitet se ka pasur 51.
Ekipe të MPB-së, ndihmës urgjente mjekësore dhe PTHP menjëherë kanë arritur në vendin e fatkeqësisë, ndërsa në tërheqjen e të lënduarve dhe viktimave masivisht kanë marrë pjesë edhe banorët lokalë. (koha.mk)