Kryetari i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, zëvendësi i tij Frans Timermans si dhe eurokomisarët Vera Jurova dhe Kurki Katainen, javën e ardhshme në Bruksel do të takohen me themeluesin e fondacionit “Shoqëri e Hapur”, Xhorxh Sorros. Sipas kalendarit të aktiviteteve të anëtarëve të Eurokomisionit, Junker do ta presë Sorrosin të enjten (27 prill), ndërsa Timermans, eurokomisarja për legjislacion Jurova dhe eurokomisari për rritje ekonomike dhe Investime Katainen, do të takohet me multimiliarderin të premten (28 prill).
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andreeva duke e konfirmuar vizitën në Komisionin Evropian të njeriut kundër veprimtarisë të së cilit luftojnë disa vende anëtare të BE-së, por edhe vendeve kandidate për anëtarësim, si dhe Maqedonia dhe Serbia, theksoi se Brukseli është i fokusuar në ngjarjet në Hungari dhe për këtë do të flasë edhe me Xhorxh Sorrosin.
E pyetur se pse Eurokomisioni e pranon Sorrosin, kur disa vende anëtare në Union, si dhe vende nga fqinjësia kanë probleme me aktivitetet e miliardierit amerikan me prejardhje hungareze, zëdhënësja e KE-së theksoi se fokusi është Hungaria dhe ngjarjet në këtë vend, ku me ligjin e ri për arsimin e lartë ka mundësi që të mbyllet Universiteti i Evropës Qendrore të Sorrosit, ndërsa edhe me kufizimin e të drejtave të organizatave joqeveritare është përfshirë edhe “Shoqëria e Hapur” e Sorrosit. “Fokusi kryesor i bisedimeve me Sorrosin do të jetë zhvillimi politik i ngjarjeve në Hungari për të cilat Komisioni tashmë ka diskutuar”, theksoi Andreeva.