Tiranë, 5 shkurt – Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigji Soreca, i cili mori pjesë në konferencën e sotme që u zhvillua për vlerësimin e nevojave pas tërmetit të 26 nëntorit që e goditi Shqipërinë, tha se vendi ka marrë ndihmë si të ishte vend-anëtar i BE-së.
Soreca shprehu solidaritetin për fatkeqësinë natyrore dhe shtoi se është krenar për punën e bërë deri më tani.
“Në fakt në shtëpinë e Evropës, në këtë sallë jemi mbledhur 2 ditë pas tërmetit dhe ishim te shokuar nga tragjedia e 26 nëntorit. Tani jemi mbledhur përsëri këtu në një kohë të shkurtër. Duhet të jemi krenar që e gjithë kjo punë po bëhet që Shqipëria të rindërtohet. Jemi krenarë për solidaritetin dhe ndihmën e dhënë nga vendet e BE-së”, tha Soreca.
Euroambasadori theksoi se BE-ja do të jetë në anën e Shqipërisë.
“Pas tërmetit, BE-ja do i qëndrojë në krah Shqipërisë. Asnjë vend nuk është 100 për qind i përgatitur për të përballuar fatkeqësi natyrore, dhe Shqipërisë i mungonte infrastruktura. Prandaj ky raport ishte mëse i nevojshëm. Botimi i këtij raporti na çon në fazën e tretë, atë të rindërtimit dhe publikimi i tij është një vendim i duhur i qeverisë.
Soreca tha se të gjitha delegacionet e BE po punojnë që kjo konferencë të jetë e suksesshme dhe se do të bëhet gjithçka qe duhet për të ndihmuar Shqipërinë edhe në fazën e tretë, atë të rindërtimit.
“Ky dokument do të përdoret për të marrë ndihmat e nevojshme nga konferenca e donatorëve. Kjo konferencë do te kryesohet nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lajen”, shtoi ai.
Duke u ndalur dhe te çështja e negociatave, ambasadori i BE deklaroi se vendet anëtare vlerësojnë se Shqipëria është në rrugën e duhur.(koha.mk)