Shkup, 23 janar – Qeveria vazhdon të taktizojë me kërkesën e ish të dënuarve në rastin Sopoti për dëmshpërblin që u takon me ligj. Në mbledhjen e sotme në Qeveri mes sekretarit të përgjitshëm, Dragi Rashkovski, zëvendësit të tij Tahir Hani dhe përfaqësuesit të Avokatit të Shtetit, pika për Sopotin është tërhequr nga rendi i ditës nën arsyetimin për konsultime shtesë me Institucionet tjera, në këtë rast me Ministrinë e Drejtësisë.
Burime të Alsat M bëjnë të ditur se Qeveria ka kërkuar të dhëna për çdo ish të dënuar sa ditë ka vuajtur burg, sa paraburgim dhe sa burg shtëpiak. Një gjë të tillë Avokati i Shtetit e kishte kërkuar që nga muaji dhjetor i vitit kaluar nga Drejtoria për zbatimin e sanksioneve. Nga ky Institucion mësohet që mbrojtjes juridike shtetërore i është rekomanduar që kërkesën e tyre ta adresojnë në Gjykatën Penale ku edhe do të mund t’i siguronin të dhënat konkrete. Alsat sot kërkoi të dhëna nga Ministria e Drejtësisë për secilin banor nga Sopoti. Dikasteri i Drejtësisë kërkesën e ka riadresuar tek Drejtoria e sanksioneve nga ku mësohet që të dhënat janë duke u grumbulluar, transmeton Koha.
Kërkesën tuaj e kemi adresuar në Drejtorinë për zbatimin e sanksioneve. Nga kjo drejtori na njoftuan se janë duke mbledhur të dhënat për çdo person dhe në momentin që do t’i sigurojnë do t’i dërgojnë në Drejtësi. Pas shqyrtimit, të dhënat do t’i ndajmë me publikun” -tha Ministrja e Drejtësisë.
Pavarësisht se për këtë çështje sot nuk u diskutua në Qeveri, një ditë më parë vet kryeministri Zaev tha se ekzekutivi dëshiron marrëveshje me Sopotasit më qëllim shmangjen e harxhimeve gjyqësore. Zaev madje bindshëm shprehu gatishmërinë e tij, për siç tha realizimin e kërkesave të Sopotasve të cilat u takojnë me ligj. Padia e Sopotasve ndaj shtetit vjen pas mohimit të kërkesës për dëmshpërblim nga Ministria e Drejtësisë. Avokati i Shtetit, me qëllim shmangjen e harxhimeve gjyqësore kërkon marrëveshje mes Qeverisë dhe ish të dënuarve në rastin Sopoti. Paraprakisht, Sopotasit me Avokatin e Shtetit kanë arritur marrëveshje që të dëmshpërblehen me 5.500 denarë për një ditë të vuajtur në burg, paraburgim apo arrest shtëpiak. Pafajsia e Sopotasve u bë e plotfuqishme pas tërheqjes së PSP-së nga akuza, mbi bazën e përgjimeve që i posedon Specialja për këtë rast.