Bujar KURTAJ
Shkup, 26 prill – Agim Sopi me skuadrën e Landskrona BoIS e kanë nisur furishëm sezonin e ri në kampionatin suedez. Në dy xhirot e para në kuadër të kampionatit suedez (Divizioni 1 jug), Landskrona ka arritur po aq fitore dhe bashkë me skuadrën e Aengelholms FF, kryesojnë në renditjen tabelore nga gjithsejtë 14 skuadra sa janë pjesë e kësaj lige. Për gazetën KOHA, trajneri shkupjan thotë se fitorja e parë si mysafir përballë Husqvarna FF me 1:2 ka qenë e para pas 30-të viteve, ndërsa dy ndeshje me radhë nuk i ka fituar para nëntë viteve.
“Sezoni në kampionatin suedez filloi para dy jave, ku ne zhvilluam po aq ndeshje dhe arritëm po aq fitore. Javën e kaluar luajtëm si mysafir dhe fituam me rezultatin 1:2, kurse së fundmi luajtëm në shtëpi duke arritur fitore me rezultatin 2:0. Të gjitha mediat po shkruajnë për këto dy fitore, pasi ndeshjen që e fituam si mysafir së fundmi Landskrona e kishte fituar para 30-të viteve, ndërsa dy ndeshje rresht në fillim të kampionatit për herë të fundit i ka fituar para nëntë viteve”, shprehet i lumtur Sopi. Sipas tij një gazetë suedeze ka vlerësuar punën që ai është duke e bërë të skuadra e Landskrona BoIS. “Një gazetë ka shkruar se Agim Sopi është i lodhur prej lojës primitive të kundërshtarëve. Pastaj kundërshtarët e kësaj lige kanë shumë respekt për filozofinë e lojës që unë e praktikoj, ndërsa orientohen në mbrojtje bunker jashtë zonës së 16-it dhe luajnë vetëm me kundërsulme dhe topa të gjatë. Nuk guxojnë të hapen dhe të luajnë futboll”, citon Sopi gazetat që kanë shkruar për atë pas dy fitoreve radhazi.Sopi thotë se pretendimet e skuadrës së tij janë qe këtë sezon të ngjiten një rang më lartë, pra Ligën e dytë.
“Aktualisht jemi pjesë e Ligës së tretë nacionale, e cila është e ndarë në dy grupe. Quhet Divizioni 1 veri dhe Divizioni 1 jug. Ne jemi pjesë e Divizionit 1 jug dhe pretendimet janë qe të plasohemi në Ligën e dytë nacionale. Vetëm plasmani në Ligën e dytë për ne do të jetë në shprehje këtë sezon. Nuk do ta kemi lehtë, por kemi një skuadër mjaftë të mirë dhe shpresoj se do t’ia arrijmë qëllimin”, nënvizoi më tej Agim Sopi. Në fund Sopi, i cili është edhe ndihmëseleksionues i përfaqësueses së shpresave të Maqedonisë, rikujtoi se sezonin e kaluar nuk ia arritën qëllimin për tu plasuar në Ligën e dytë duke përfunduar kështu në pozitën e tretë. “Shumë pak mungoi që sezonin e kaluar të plasohemi në Ligën e dytë. Përfunduam në pozitën e tretë, ndërsa përkundër faktit se nuk ia arritëm qëllimin, pozita e tretë ishte një sukses i madh për klubin duke marr parasysh se me ardhjen time u rikthyen rezultatet e mira dhe harmonia në ekip, pasi në të kaluarën këto nuk kanë qenë prezent”, përfundoi Agim Sopi.
Ndeshjen e ardhshme skuadra e Landskrona do ta luajë më 1 maj në cilësinë e mysafirit kundër skuadrës së Kristianstad FC.