Prishtinë, 12 shkurt – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u takua sot në kabinetin e tij me kryetaren e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko dhe me zëvendësen e saj, Izabela Kisiq, me të cilat bisedoi për gjendjet aktuale në Kosovë lidhur me të drejtat e njeriut, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, raporton gazeta KOHA.
Duke shprehur kënaqësi për takimin me aktivistet për të drejta të njeriut nga Beogradi, Haradinaj informoi se me mysafiret ka biseduar për veprimet të cilat i ndërmerr Qeveria e Kosovës për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe lirive qytetare të komunitetit serb në vend.
“Kosova ka kushtetutë më të avancuar sa i përket të drejtave të pakicave dhe në praktikë bashkëpunimi me to është në fazë përparuese dhe jemi të përkushtuar që ai përparim të vazhdojë”, deklaroi Haradinaj.
Biserko dhe Kisiq theksuan se janë të gatshme të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.(koha.mk)