Një sondazh i organizuar nga Gallup evidenton se në të gjitha vendet e Evropës Lindore vetëm serbët dhe rusët e perceptojnë NATO-n si kërcënim. “Ndonëse edhe së fundmi presidenti amerikan Donald Trump e quajti NATO-në si të vjetruar, njerëzit në shumë nga vendet anëtare në Evropën Lindore e lidhin aleancën me mbrojtjen e vendit të tyre”, raporton Gallup. Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria dhe Greqia janë vende që dominohen nga një prirje neutraliteti, qytetarët e të cilave nuk e shohin NATO-n as si kërcënim dhe as si mbrojtje. Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Mal të ZI, ndërkohë që “të gjitha vendet e tjera evropiano-lindore e shohin NATO-n si mbrojtëse”. Në Serbi 64% e njerëzve e shohin aleancën si kërcënim, kurse në Rusi kjo përqindje arrin në 67%. Në Kosovë përqindja e njerëzve që e shohin NATO-n si mbrojtje arrin në 90%, në Shqipëri 70%, në Poloni 62%, Lituani 57% dhe në Kroaci 52%. Në Hungari, Letoni, Çeki, Maqedoni dhe Sllovaki, njerëzit që e shohin NATO-n si mbrojtje qëndron nën 50% dhe nën 20% e shohin atë si kërcënim. Sondazhi konfirmon se në disa vende të Evropës Qendrore nuk ka entuziazëm për aleancën, ndonëse fërkimet historike me Rusinë kanë qenë jo të vogla.