Ole Gunar Solskjaer po kërkon të afrojë një psikolog sportiv për t’i ardhur në ndihmë bllokimit psikologjik të lojtarëve të tij ndaj ekipeve të vogla të Premier Ligës.
Mançester Junajtid po has shumë vështirësi ndaj ekipeve të të dorës së dytë në ishull. “Djajtë” janë mundur nga Bornmëthi, Uotfordi, Njukasëlli, Uest Hemi, Kristal Palasi dhe Bërnlej dhe janë ndalur nga Aston Vila. Për këtë arsye, trajneri norvegjez i ka kërkuar klubit një psikolog për të punuar me futbollistët që të kalojnë këtë ngërç psikologjik, i cili po u vështirëson objektivat sezonalë. Rekordi i Junajtidit ndaj 6 ekipeve kryesore është shumë më pozitiv. Ata kanë fituar kundër Totenhemit dhe Mançester Sitin brenda të njëjtës javë, por edhe ndaj Çelsit, ndërsa janë ekipi i vetëm që i kanë marrë pikë Liverpulit këtë sezon.
Bërnlej – Dhe pas humbjes ndaj Bërnlejt, e cila ishte skuadra e 6- të e gjysmës së poshtme të klasifikimit që merr më të mirën nga Mançester Junajtid, trajneri norvegjez nuk e fshehu zhgënjimin: “Jam shumë i zhgënjyer. Për pjesë të mëdha të ndeshjes nuk arritëm që të kërcënonim kundërshtarin. Por skuadra dha gjithçka, edhe pse nuk mjaftoi. Kemi nisur një revolucion në skuadër dhe jemi ende në fazën e ndërtimit. Problemi është se nuk i kemi zëvendësuar akoma. Edhe dëmtimet kanë ndikuar në situatën në të cilën ndodhemi. Duhet të ngremë duart lart. Po punojmë çdo ditë për të përmirësuar këtë skuadër”. Nga shkallët e tribunës nuk munguan edhe thirrjet për shkarkimin e tij.