Marouanne Fellaini pritet të bëhet viktima e parë e Ole Gunnar Solskjaer dhe Manchester United është gati të dëgjojë ofertat për mesfushorin. Fellaini ka bërë vetëm dy ndeshje si zëvendësues nën regjimin e Solskjaer, i cili ka fituar gjashtë ndeshjet e para në stolin e United.
Megjithëse mesfushori ka firmosur një kontratë të re dyvjeçare në verë, mendohet se United është gati ta lërë të largohet Fellaini-n këtë muaj, por vetëm nëse vjen oferta e duhur. Milan, Porto dhe kinezët e Guangzhou Evergrande kanë shfaqur interes për Fellaini-n, me United që thuhet se kërkon rreth 15 mln euro për mesfushorin 31-vjeçar.
Me 18 muaj të mbetur në kontratën e tij, United nuk kërkon ta shesë lirë belgun dhe paratë e fituara nga ai mund të përdorë për t’u përforcuar diku tjetër. Jose Mourinho e kishte pikë të dobët, por tani ka mbetur thjesht një lojtar i tepërt te Djajtë.