Santiago Solari po përgatit një formacion krejt ndryshe për ndeshjen e nesërme në “Camp Nou” kundër Barcelonës, e vlefshme për gjysmëfinalet e Copa Del Rey.
Pesë ndryshime janë pothuajse zyrtare, ndërsa dy të tjerë mbeten në balotazh, në krahasim me ndeshjen e së dielës, ku fituan 3-0 ndaj Alaves.
Ndryshimi i parë vjen në portë, Navas do marrë vendin e Courtois, kjo pasi ai është portieri i parë për ndeshjet e kupës. Në mbrojtje do të rikthehet Carvajal në vend të Odriozola dhe Varane do marrë vendin e Nacho.
Dyshimi i parë është për krahun e djathtë të mbrojtjes. Solari do duhet të zgjedhë: Të vendosë Marcelon, që ka eksperiencë në ndeshje të tilla, por që nuk është në momentin e tij më të mirë. Apo, të vazhdojë me Reguilon (22 vjeç), që po kalon formë të mirë.
Dilema tjetër është në mesfushë. Të luajë me Marcos Llorente, i cili ka treguar vlera të larta në javët e kaluara, apo të aktivizojë Casemiron, i cili gjithashtu po gëzon formë të mirë.
Tani është radha e Toni Kroos për t’u rikthyer. Gjermani i lënë pushim këtë fundjavë do të rikthehet në formacion dhe do zërë vendin e Ceballlos. Ndërkohë, Lucas Vazquez do e nisë nga krahu i djathtë në ndihmë të Benzema.
Balotazhi më i madh është midis Vinicius Junior dhe Gareth Bale. Talenti brazilian ka shpërthyer në ndeshjet e fundit, teksa në ndeshjen kundër Alaves ishin të dy në fushë, por 18-vjeçari ishte shumë më lart se uellsiani, i cili e pa veten të izoluar në të dy anët.